E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “UFO DENTAL”

V E N D I M

PËR

HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË,  PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “UFO DENTAL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
                                                     
1. Lejimin e shkollës së lartë universitare private “UFO dental”, Tiranë, për hapjen e programeve të studimit, të ciklit të dytë, në formën e studimeve me kohë të plotë, në:

a) Gazetari, me profil:

i) Marrëdhënie me publikun dhe marketing;
                    ii)  Drejtim dhe menaxhim i mediave;
                   iii)  Gazetari ndërkombëtare.

b) Marrëdhënie ndërkombëtare, me profil:    

i) Politika e jashtme dhe diplomacia;
   ii)  Integrim evropian;
                    iii)  Studime ballkanike, studime për sigurinë.


c) Administrim publik, me profil:

i) Pushtet ekzekutiv;
                    ii)   Qeverisje vendore;
                   iii)   Hapësira publike evropiane;
                   iv)   Politika dhe menaxhimi shëndetësor.
 
ç) Menaxhim bankar:
d) Administrim biznesi.

2. Kohëzgjatja normale e programeve të studimit, të ciklit të dytë, do të jetë 2 vite akademike, me plotësimin, së paku, të 120 krediteve. Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet diplomë e nivelit të dytë (DND), në fushën e arsimimit të kryer.

3. Lejimin e shkollës së lartë universitare private, “UFO dental”, me seli në Tiranë, për hapjen e programit të studimit, “Master i nivelit të parë”, në:

a) e drejta tregtare.

4. Programi i studimit “Master i nivelit të parë” është pjesë e studimeve të ciklit të dytë, me, së paku, plotësimin e 60 krediteve. Në mbarim të programit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” (MNP) në fushën e  arsimimit dhe të trajnimit të kryer.

5. Ngarkohet shkolla e lartë universitare private, “UFO dental”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga një personel akademik, me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialitetit.

6. Shkolla e lartë universitare private, “UFO dental”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikat 1 e 3, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të veprimtarisë mësimore, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.
7. Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

8. Shkolla e lartë universitare private, “UFO dental”, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

9. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›