V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E PËRGJEGJËSIVE TË INSTITUCIONEVE TË QEVERISJES QENDRORE, PËR PROCEDURAT E KRYERJES SË PAGESËS
V E N D I M
PëR
PëRCAKTIMIN E PëRGJEGJëSIVE Të INSTITUCIONEVE Të QEVERISJES QENDRORE, PëR PROCEDURAT E KRYERJES Së PAGESëS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës , të nenit 118, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 3, të nenit 1, të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e përgjegjësive të institucioneve të qeverisjes qendrore, për procedurat e kryerjes së pagesës së nëpunësve/punonjësve të secilit institucion.
2. çdo institucion, sipas pikës 1 të këtij vendimi, është përgjegjës për kalimin e pagës, në njërën nga bankat e nivelit të dytë, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, përzgjedhur nga secili nëpunës/punonjës i institucionit, pavarësisht rregullimit të marrëdhënieve të punës me ligjet nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, apo nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
3. Referenca e nëpunësit/punonjësit për përzgjedhjen e bankës jepet pas plotësimit të një formulari standard, të përgatitur dhe të vënë në dispozicion nga strukturat e personelit, brenda çdo institucioni.
4. Formulari dorëzohet në strukturat e përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, brenda 2 (dy) ditëve pune nga data e tërheqjes.
5. Formulari duhet të përmbajë të paktën të dhëna për:
a) gjenealitetet e nëpunësit/punonjësit;
b) emrin e bankës dhe llogarinë bankare, në rast se ekziston një e tillë;
c) nënshkrimin dhe datën e plotësimit të formularit.
6. Nëpunësi/punonjësi mund të përzgjedhë, si bankë të preferuar, bankën ku mund të ketë një llogari të hapur bankare ose një bankë tjetër. Në çdo rast, të dhënat për numrin e llogarisë bankare ekzistuese duhet të bëhen të qarta në formularin e plotësuar, sipas pikës 5, të këtij vendimi.
7. Formularët i dërgohen zyrës së financës, përgjegjëse për përgatitjen e pagave.
8. Përgatitja e formularit për shoqëritë tregtare me kapital shtetëror bëhet nga institucionet, prej të cilave ato varen.
9. Strukturat e përcaktuara në këtë vendim përgatisin formularin përkatës për përzgjedhjen e bankës, brenda 2 (dy) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
10. Ngarkohen institucionet e parashikuara në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.
12. Ngarkohen ministrat, që kanë në varësi shoqëri tregtare, të nxjerrin urdhërat përkatës në zbatim të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
07/04/2010