VENDIM PËR disa NDRYSHIMe NË VENDIMIN NR.427, DATË 4.8.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË SË ZHVILLIMIT TË ZONAVE MALORE”, TË NDRYSHUAR
V E N D I M
PëR
disa NDRYSHIMe Në VENDIMIN NR.427, DATë 4.8.2000, Të KëSHILLIT Të MINISTRAVE, “PëR KRIJIMIN E AGJENCISë Së ZHVILLIMIT Të ZONAVE MALORE”, Të NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9605, datë 11.9.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale malore”, dhe të ligjit nr.10079, datë 23.2.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes se financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), për financimin e programit “Malet drejt tregut””, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në statutin, që i bashkëlidhet vendimit nr.427, datë 4.8.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Neni 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9
Organet drejtuese të AZHZM-së janë:
a) Bordi ekzekutiv;
b) Komitetiti ekzekutiv;
c) Drejtori ekzekutiv.”.
b) Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 10
Bordi ekzekutiv është organi më i lartë vendimmarrës i AZHZM-së, i cili kryesohet nga ministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe nga 10 anëtarë, si më poshtë vijon:
1) 4 (katër) anëtarë, përfaqësues të institucioneve qendrore, në nivel drejtor i përgjithshëm ose drejtor drejtorie, nga një për secilën ministri përgjegjëse për: (a) financat; (b) ekonominë; (c) çështjet sociale dhe shanset e barabarta; dhe (d) çështje të pushtetit vendor. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhen nga kryetari i bordit, me propozimin e ministrit përkatës. Kandidatët për anëtar caktohen nga strukturat që kanë lidhje bashkëpunimi ose bashkërendimi me veprimtarinë e kësaj Agjencie.
2) 2 (dy) anëtarë përfaqësues të organeve vendore, nga të cilët një përfaqësues i shoqatës së këshillave të qarqeve dhe një përfaqësues i shoqatës së komunave. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhen nga kryetari i bordit, me propozimin e shoqatave përkatëse. Kandidatët e propozuar nga shoqatat duhet të jenë të zgjedhur të pushtetit vendor (kryetar qarku, komune ose anëtar këshillash), në qarqet dhe komunat që kanë lidhje bashkëpunimi ose bashkërendimi me veprimtarinë e kësaj Agjencie.
3) 4 (katër) anëtarë, përfaqësues të sektorit privat, nga të cilët:
a) 1 (një) nga Shoqata e Bankierëve, i emëruar nga kryetari i bordit, me propozim të saj.
b) 1 (një) nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, i cili emërohet nga kryetari i bordit, ndërmjet tri kandidaturave të propozuara nga KASH-i Kandidatët e propozuar duhet të jenë drejtues kryesor të shoqatave të prodhuesve, të përpunuesve apo të tregtarve në zonat e veprimit të Agjencisë.
c) 1 (një) nga shoqatat e grave, i cili emërohet nga kryetari i bordit, ndërmjet tri kandidaturave të propozuara nga shoqatat e grave, që veprojnë në zonat e vemprimtarisë së agjencisë. Kandidatët e propozuar duhet të jenë drejtuese kryesore të shoqatave të grave që merren me prodhim, përpunim apo tregtimin e produkteve agro-ushqimore në zonat e veprimit të agjencisë;
d) 1 (një) nga Forumi Kombëtar i Zonave Malore, i cili emërohet nga kryetari i bordit, ndërmjet tri kandidaturave të propozuara nga forumi kombëtar. Kandidatët e propozuar duhet të jenë drejtues kryesor të Forumit Kombëtar të Zonave Malore ose të forumeve lokale që janë anëtare të Forumit Kombëtar, në zonat e veprimit të Agjencisë.
Afati i qëndrimit në detyrën e anëtarit të bordit ekzekutiv të AZHZM-së është i papërcaktuar, me përjashtim të përfaqësuesve të pushtetit vendor, afati i të cilëve është i njëjtë me mandatin e tyre si të zgjedhur të pushtetit vendor.
Titullari i institucionit të përfaqësuar në bord ka të drejtë të propozojë, në çdo kohë, lirimin nga detyra të anëtarit që e përfaqëson dhe të propozojë zëvendësimin e tij sipas procedurave të përcaktuara mësipër. Kryetari i bordit ekzekutiv, pasi e vlerëson të motivuar propozimin bën lirimin dhe emërimin e kandidatit të propozuar.
Kur një anëtar i bordit nuk merr pjesë, pa arsye objektive, në tre mbledhje të njëpasnjëshme, shkarkohet nga kjo detyrë nga kryetari i bordit, i cili i kërkon institucionit të përfaqësuar fillimin e procedurës së zëvendësimit të tij me një përfaqësues tjetër.”.
2. Veprimtaria e bordit ekzistues përfundon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe, brenda 5 (pesë) ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të fillojnë procedurat për formimin e bordit ekzekutiv të ri, sipas përbërjes së miratuar.
3. Ngarkohet bordi ekzekutiv i Agjencisë, që, brenda 3 (tri) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të rishikojë dhe të bëjë propozimet për ndryshimet e nevojshme në statutin e Agjencisë, për t’i përshtatur ato më mirë me nevojat e perspektivat e funksionimit dhe të zhvillimit të këtij institucioni, sipas standardeve ndërkombëtare, bashkëkohore, për mbështetjen e zonave malore dhe të zonave më pak të zhvilluara.
4. Ngarkohen ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ministri i Financave, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ministri i Brendshëm dhe Agjencia e Zhvillimit të Zonave Malore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
07/04/2010