E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR RIORGANIZIMIN E DREJTORIVE ARSIMORE RAJONALE DHE ZYRAVE ARSIMORE

V E N D I M
 
 
PëR
 
RIORGANIZIMIN E DREJTORIVE ARSIMORE RAJONALE DHE ZYRAVE ARSIMORE
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 63, të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995 “Për arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” dhe të ligjit nr.10 190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1.     Riorganizimin e drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore.
 
2.     Drejtoritë arsimore rajonale të funksionojnë në çdo qark. Ato janë person juridik, public e buxhetor, në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe  Shkencës.
 
3.     Drejtoria Arsimore Rajonale është përgjegjëse për sigurimin e cilësisë së shërbimit arsimor në nivel qarku dhe kryen këto funksione kryesore:
 
a)     Mbështet ministrinë në hartimin e politikave të zhvillimit në fushën e arsimit parauniversitar, në nivel qarku, duke marrë parasysh veçoritë demografike, të terrenit, të zhvillimit ekonomik dhe të infrastrukturës vendore.
b)     Garanton zbatimin me përpikmëri të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
c)     Ndjek realizizimin e politikave rajonale në përputhje dhe në zbatim të strategjisë kombëtare të zhvillimit të arsimit.
ç)  Harton projekte me karakter vendor ose zbaton projekte me karakter kombëtar.
d)     Ndjek me përparësi arsimin profesional, duke marrë të gjitha masat për shtrirjen e tij.
 dh)  Menaxhon dhe zhvillon burimet njerëzore për qarkun.
e)     Zbaton kurrikulën dhe zhvillon elementet rajonale të saj.
ë) Organizon provimet e maturës shtetërore dhe provimet e lirimit.
f)      Ndjek përzgjedhjen dhe shpërndarjen e tekstit shkollor në nivel qarku.
g)     Zhvillon e mirëmban IT-në dhe bazën statistikore në shkollat e varësisë.
gj)   Planifikon investimet e buxhetin, si dhe bën prokurime për qarkun.
h)     Siguron asistencë juridike edhe për zyrat arsimore që ka në varësi.
i)      Realizon vlerësimin real të cilësisë së shërbimit të ofruar.
j)      Organizon dhe realizon trajnimin dhe kualifikimin e personelit mësimdhënës të shkollave që ka në varësi.
 
4.     Zyrat arsimore të funksionojnë në çdo nënprefekturë. Ato janë në varësi të drejtorive arsimore rajonale.
 
5.     Zyra arsimore ka këto funksione kryesore:
 
a)     Bashkëpunon me drejtorinë arsimore rajonale, nga e cila varet për politikat e personelit, të buxhetit dhe të investimeve.
b)     Ndjek kualifikimin e mësuesve, duke bashkëpunuar me institucionet që e ofrojnë këtë shërbim.
c)     Përgjigjet për cilësinë e shërbimit të ofruar.
ç)  Organizon provimet e maturës shtetërore dhe provimet e lirimit.
d)     Zhvillon e mirëmban IT-në dhe bazën statistikore në shkollat e varësisë.
dh)  Menaxhon burimet financiare dhe shpenzimet për mjete didaktike.
e)     Ndjek përzgjedhjen dhe shpërndarjen e tekstit shkollor.
ë)  Ndjek me përparësi problemet e braktisjes shkollore dhe rritjen e numrit të nxënësve në arsimin profesional.
 
6.     Për qarkun e Tiranës të ketë  dy drejtori arsimore rajonale, nga të cilat, DAR-i Tiranë të mbulojë qytetin e Tiranës, dhe DAR-i Qarku Tiranë, të mbulojë fshatrat e Tiranës dhe Kavajën e fshatrat e saj.
 
7.     Ministri i Arsimit dhe Shkencës miraton rregulloret e brendshme të funksionimit të drejtorive arsimore rajonale dhe të zyrave arsimore.
 
8.     Drejtori i drejtorisë arsimore rajonale emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.173,             datë 7.3.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave, të Kryeministrit ose të ministrit”.
 
9.     Drejtuesi i zyrës arsimore emërohet ose largohet nga detyra nga drejtori i drejtorisë arsimore rajonale, që ka në varësi zyrën, ndërsa nëpunësit (përgjegjës sektori, specialistë) të këtyre drejtorive e zyrave, nga drejtuesit përkatës.
 
10.   Për punonjësit, që, pas riorganizimit të drejtorive arsimore rajonale mbeten pa vend pune, të zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
 
11.   Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2010, i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
 
12.   Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 
13.   Vendimi nr.707, datë 16.10.2003, “Për riorganizimin e drejtorive arsimore të rretheve në drejtori arsimore rajonale dhe në zyra arsimore”, shfuqizohet.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
 
SALI BERISHA
 03/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›