E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon delegacionin e Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë

Zoti Kamsvag shprehu vlerësimin e lartë për progresin e shpejtë dhe impresionues të Shqipërisë në vitet e fundit dhe kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
 
 
Kryeministri Berisha takoi sot një delegacion të Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, në përbërjen e të cilit ishte edhe Drejtori i Seksionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë, z. Nils Ragnar Kamsvag.
 
Zoti Kamsvag shprehu vlerësimin e lartë për progresin e shpejtë dhe impresionues të Shqipërisë në vitet e fundit dhe kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ai gjithashtu shprehu interesin e Norvegjisë për të patur marrëdhënie aktive me Republikën e Shqipërisë. Z. Kamsvag gjithashtu vlerësoi arritjet dhe ofroi ekspertizë teknike në fushën e burimeve energjetike dhe parandalimin e përmbytjeve.
 
Kryeministri Berisha falënderoi për mbështetjen e qeverisë norvegjeze në procesin e integrimit, veçanërisht, atë të anëtarësimit në NATO. Kryeministri theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ai shprehu kënaqësinë për praninë e kompanive norvegjeze me projekte të rëndësishme në energjetikë në Shqipëri, dhe inkurajoi që interesi i biznesit norvegjez të shtrihet edhe në burimet minerare, turizëm, e fusha të tjera me interes.
 
Në përfundim të takimit, palët shprehën vendosmërinë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të ardhmen.04/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›