Kryeministri Berisha kërkon hartimin e një plan veprimi në kuadër të reformës në shëndetësi
Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë marrjen e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor.
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua dje mbledhja e radhës e Task Forcës për reformën në shëndetësi.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme në shëndetësi, u diskutua mbi gjendjen reale të shëndetësisë në vend, mbi politikat e reja që duhen ndjekur për standardizimin e sistemit shëndetësor, që do të plotësojë të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjithë masave të marra që po e zhvillojnë shëndetësinë.
Në fund të diskutimeve, Kryeministri Berisha kërkoi hartimin e një plan veprimi konkret, në kuadër të kësaj reforme të madhe, plan ky që, pasi të diskutohet në masën e gjerë të mjekëve, do t’i përcillet grupit ndërinstitucional.
Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë marrjen e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. “Ju keni forcën profesionale e intelektuale për të vendosur standardet më të mira në sistemin shëndetësor. Duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, sesi ta nxjerrim këtë sistem jashtë korrupsionit. Të marrim çdo lloj mase, edhe agresive. T’i rikthejmë dinjitetin këtij misioni të rëndësishëm, misionit të mjekut. Krahas përcaktimit të procedurave antikorruptive duhet të inkurajojmë dhe rritjen e rrogave në shëndetësi”, u është drejtuar Kryeministri të pranishëmve në këtë Task Forcë.
Pasi theksoi se deri më tani janë bërë përpjekje të mëdha dhe ka pasur progres të pamohueshëm në drejtime të ndryshme në fushën e mjekësisë, Kryeministri Berisha përfundoi se Shqipëria është një vend me mundësi të mëdha për ta sjellë në standardet e duhura sistemin shëndetësor dhe kjo do të arrihet falë reformës që do të jetë përparësi absolute e qeverisë deri në finalizimin e saj.
04/02/2010