E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR LEVAN-TEPELENË (7.9 KM E PARA)

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR LEVAN-TEPELENË (7.9 KM E PARA)


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të         ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ligjit nr.9836,         datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, tё ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave                                  

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Levan-Tepelenë (7.9 km e para).

2. Shpronësimi tё bëhet në favor të Drejtorisё sё Pёrgjithshme tё Rrugёve.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelёn, qё i bashkёlidhet kёtij vendimi, për sipërfaqen tokë/arë 140 346 (njëqind e dyzet mijë e treqind e dyzet e gjashtë) m2, të vlerësuar me çmimet           335 (treqind e tridhjetë e pesë) lekë/m2, 421 (katërqind e njëzet e një) lekë/m2, 809 (tetëqind e nëntë) lekë/m2, 691 (gjashtëqind e nëntëdhjetë e një) lekë/m2 dhe 751 (shtatëqind e pesëdhjetë e një) lekë/m2, me një vlerë totale shpronësimi 89 459 818 (tetëdhjetë e nëntë milionë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) lekë. 

4. Shpenzimet procedurale, në shumën 1 890 000 (njё milion e tetëqind e nëntëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve.

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 89 459 818 (tetëdhjetë e nëntë milionë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2008, zëri “Shpronësime”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

6. Shpronësimi të fillojё më 20 nëntor 2008 dhe tё përfundojë më   30 dhjetor 2008.

7. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP-ja”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Pёrgjithshme e Rrugёve. 

8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


19/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›