V E N D I M Për REALIZIMIN E ShëRBIMIT FINANCIAR Të VLERëSIMIT Të RISKUT Të VENDIT
V E N D I M
Për
REALIZIMIN E ShëRBIMIT FINANCIAR Të VLERëSIMIT Të RISKUT Të VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të nenit 7, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin dhe realizimin e procedurës, që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të vlerësimit të riskut të vendit (Credit rating), për Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
2. Termi “Vlerësim i riskut (Credit rating)”, në kuptim të këtij vendimi, përfshin shërbimin financiar në formën e procesit vlerësues të riskut të vendit, duke ofruar shërbimin e nevojshëm për realizimin e procesit të transaksioneve të huamarrjes në tregun ndërkombëtar.
3. Për realizimin e shërbimit financiar, titullari nxjerr urdhrin, në të cilin duhet të përcaktohen, detyrimisht,:
a) shërbimi financiar, objekt i kësaj procedure.
b) lista e institucioneve financiare pjesëmarrëse, që do të ofrojnë shërbimin e kërkuar, e cila do të përcaktohet nga komisioni i hartimit të dokumenteve.
c) përbërja dhe emrat e anëtarëve të komisionit të hartimit të dokumenteve dhe të komisionit të vlerësimit të ofertave, në përbërje të të cilave të jenë kryetari dhe të paktën 2 specialistë të fushës.
ç) çdo element tjetër i vlerësuar si i nevojshëm.
4. Komisioni i hartimit të dokumenteve, brenda 5 ditëve nga data e nxjerrjes së urdhrit, përgatit ftesën për ofertë, të cilën e dërgon në adresat përkatëse. Në ftesë përcaktohen:
a) institucioni, që kryen procedurën për shërbimin në përputhje me pikën 1, të këtij vendimi;
b) shërbimi financiar, që kërkohet të realizohet;
c) kushtet e veçanta të kërkuara;
d) data, ora dhe vendi i paraqitjes së ofertës.
5. Dokumentacioni i paraqitur nga subjektet e interesuara ruhet dhe nuk hapet nga komisioni i vlerësimit të ofertave deri në datën dhe orën e caktuar në ftesën për ofertë.
6. Komisioni i vlerësimit të ofertave, në marrjen e vendimit përfundimtar për përzgjedhjen e subjektit, bazohet, respektivisht, në:
a) plotësimin e kritereve të përgjithshme dhe teknike;
b) cilësinë e shërbimit të ofruar dhe reputacionin në tregjet financiare më të njohura botërore;
c) çmimin më të ulët për shërbimin e ofruar nga subjektet, për blerjen, shitjen/transferimin e instrumentit financiar.
Rëndësia e secilit prej kritereve të sipërpërmendura do të përcaktohet në dokumentet e tenderit, gjë për të cilën do të njoftohen institucionet financiare pjesëmarrëse.
7. Titullari i institucionit, në bazë të vendimit të dhënë nga komisioni i vlerësimit të ofertave, miraton ose refuzon, brenda 5 ditësh, shpalljen e fituesit.
8. Komisioni i vlerësimit të ofertave, brenda 5 ditëve nga shpallja e fituesit, njofton të interesuarit për klasifikimin përfundimtar të ofertave.
9. Ankesat e subjekteve ndaj procedurës së zhvilluar i paraqiten, brenda 5 ditëve nga data e njoftimit, titullarit të institucionit. Vendimi jepet brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së ankesës, dhe është përfundimtar. Njoftimi përfundimtar i fituesit do të bëhet me të gjitha mjetet e komunikimit.
10. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
07/01/2010