E Hënë, 2 Nëntor 2026

VARSHAVË – Diplomati rus: Rusia nuk është e interesuar në përshkallëzimin e marrëdhënieve me Poloninë

VARSHAVË, 10 shtator /ATSH-DPA/- Diplomati i lartë rus në Varshavë, Andrei Ordash ka hedhur poshtë akuzat e Polonisë se dronët rusë kanë shkelur hapësirën ajrore polake.

Kryeministri Donald Tusk tha se ka pasur të paktën 19 shkelje gjatë natës dhe se dronët kishin erdhur direkt nga Bjellorusia. Sipas tij, ato nuk kishin fluturuar gabimisht mbi kufirin me Ukrainën.

BE-ja gjithashtu tha se ka indikacione se akti ishte i qëllimshëm.

“Ne i konsiderojmë akuzat të pabaza. Nuk është paraqitur asnjë provë për të vërtetuar se këta dronë janë me origjinë ruse”, tha Ordash, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “RIA Novosti”.

Ai tha se një akuzë e ngjashme në të kaluarën kishte rezultuar e rreme.

Në fund të vitit 2022, dy persona u vranë në Poloni pranë kufirit ukrainas kur kishte rënë një raketë.

Në atë kohë, Rusia kishte nisur një sulm të madh ajror në Ukrainën perëndimore.

Objekti që u rrëzua në Poloni mendohej të ishte një raketë e humbur e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Rusia nuk është absolutisht e interesuar në përshkallëzimin e marrëdhënieve me Poloninë”, tha diplomati.

“Fatkeqësisht, kjo po shpërfillet nga qeveria polake për shkak të ndjenjave anti-ruse”, shtoi ai.

Rusia ka zhvilluar një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës fqinje – që nga shkurti i vitit 2022. Ukraina gjithashtu ndan një kufi me Poloninë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›