STRASBURG – Von der Leyen: Kufi moshe për përdorim të rrjeteve sociale në BE

BRUKSEL 10 shtator /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu sot mbështetjen për vendosjen e një kufiri moshe për përdorimin e rrjeteve sociale në Bashkimin Evropian.
Gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian në Strasburg, ajo tha se “do të ngarkojë një grup ekspertësh deri në fund të vitit për të dhënë këshilla mbi mënyrën më të mirë të veprimit”.
Von der Leyen krahasoi rregulloret e mundshme për rrjetet sociale me ato për duhanin dhe alkoolin.
“Ashtu si dikur, ne si shoqëri i mësonim fëmijët tanë që nuk mund të pinin duhan, të konsumonin alkool apo të shikonin filma me përmbajtje për të rritur para një moshe të caktuar, unë besoj se është koha të konsiderojmë të njëjtën gjë për rrjetet sociale”, tha von der Leyen për ligjvënësit e BE-së.
Ajo përmendi shqetësimet e prindërve që përpiqen të mbajnë fëmijët e tyre të sigurt. “Këta prindër shqetësohen se kur fëmijët e tyre marrin një telefon, mund të ekspozohen ndaj rreziqeve të ndryshme”, shtoi ajo.
Von der Leyen përmendi Australinë si një model të mundshëm për legjislacionin e ardhshëm evropian. Atje, përdorimi i platformave si X, TikTok, Facebook dhe Instagram do të lejohet vetëm nga mosha 16 vjeç.
Komisioni po zhvillon një aplikacion me qëllim krijimin e një sistemi të besueshëm verifikimi të moshës për përmbajtje që nuk është e përshtatshme për fëmijët dhe të rinjtë.
Sipas një sondazhi në Gjermani, 70% e të anketuarve do të dëshironin të shihnin një moshë minimale për p[rdorimin e rrjeteve sociale si Facebook, Instagram dhe TikTok. /Ad.Ab./