E Shtunë, 31 Tetor 2026

VASILI

Nga Ali Podrimja

Para meje qëndron ulur Vasili, i zhytur në të kaluarën trishtuese. Pas pak ndez makinën me regjistrim LMH-161. Pyet: ku dëshironi të pimë nga një raki të fortë? Ngadalë vihet në lëvizje makina. Para nesh përfytyrohen qindra varreza të kaltra. Vasili fillon të flasë për datën 16 mars 1997, kur Shqipëria ishte derdhur dhe kur kishte vendosur bashkë me gruan dhe dy fëmijët të kapërcejnë Ngushticën e Otrantës. Kishin parw edhe një herë Vlorën dhe kishin zënë vend në varkën motorike, ku nuk ishin vetëm. Gjendeshin aty shtatëdhjetë shpirtëra, që besonin se do i mundin valët e vdekjes. Ai dispononte vizë italiane, por dëshironte të shpëtonte familjen se kohë të rënda bënin. Në momentin vendimtar si kishte kujtuar thënien e Hamletit: Të rrosh a të mos rrosh… E kishte pëshpëritur orë e çast nga momenti kur kishin zënë vend në varkë dhe kishin paguar biletat. Për pak kohë ishin gjendur në detin e haptë, i cili kishte zënë të errët. Nuk shihej më bregu. Dëgjoheshin vetëm pëshpëritje dhe lutje të nënave. Dikur kishin hetuar se ndonjë vrushkull uji kishte zënë t’i vizitojë dhe i ndërronin shpesh vendet. Bregu nuk shihej, ishte diku pas valëve të tërbuara, ku shikonin si noton dhe ndonjë kufomë. Vasili e mbante veten, u jepte kurajo atyre që kishin zënë të luhaten dhe ca të preknin kurrizin e vdekjes. Ngushtica e Otrantës kishte kohë që ishte shndërruar në varrezë masive. Krimi ishte i dyanshëm: i Italisë dhe i vendit amë. E para nuk pranonte refugjatë, ndërsa vendi amë ishte në prag të mbylljes së një kaptine tragjike. E shikoj Vasilin dhe më bëhet se lexoj një roman mbi tmerrin. Disi shpesh më thotë dhe bën be se kishte parë vdekjen dhe kishte dëgjuar korin e përvajshëm të fëmijëve në varkën motorike, e cila kishte zënë të mbushet ujë. Pakëz kush nga ne besonte se do të shkelnim në bregun italian, i cili vazhdonte të errej edhe më. E, në varkë gjendeshin njëzet fëmijë gati të ngrirë nga të ftohtit, tregonin se ndonjë dhe notonte. Dikur vaji dhe britmat ishin dëgjuar tek afrohej një anije e huaj ushtarake. Personeli i saj i tmerruar nga skenat biblike kishte hedhur shkallë litari. Ca kishin arritur të ngjiten e ndonjë të humbasë në thellësitë e shqetësuara. Ata që kishin pasur fat ishin strukur në anije, ndonjë të pafat e kërkonin. Dikur ishte fundosur varka motorike, me të dhe ëndrra e refugjatit.

Odisejada shqiptare kishte vazhduar tevona dhe në kampet italiane. Kërkohej të ktheheshin familje të tëra në Shqipëri. Vasili me fëmijët e gruan ishin nisur në veri të Evropës, ku i priste e panjohura. Tregimi për familjen e tij zhvillohet ndryshe: kalimin e kufijve dhe strehimin në ndonjë çati të huaj. T’ia fillosh çdo gjë nga fillimi dhe në kujtesë të shtresosh qeniesoren: nuk harrohet vendlindja as të parët. Pas një kohe udha e kishte qitur aty në veri, regjistrimin e të cilit e mban autoja e tij, ku qëndron momentalisht ulur, dhe më bëhet se sytë kishin zënë t’i qesin xixa. Dritë e çuditshme më kishte mbuluar edhe mua. Po ku mbetem mik? E kisha zgjuar nga një drithmë. Dikur buzëqeshi. Në një metropol një i shpërlarë e kishte pyetur: Të jesh shqiptar, a është sëmundje e rëndë? Dhe ky i ishte përgjigjur: Mendoj se është e lashtë, e disa shekujve…

E kishte kafshuar buzën dhe në dritë të çuditshme kishin humbur. Vazhdoja të shfletoj romanin që quhej “Njeri”, ku Vasili harresën dëshironte ta mposhte me të bukurën e letrave shqipe dhe ku shpesh i kërkonte gjurmët e Faik Konicës, fjalët e harruara në ndonjë rrugicë a kafene… Apo atë botën e Naimit, plotë imazhe. Në dorë të Zotit shqiptarët dhe Shqipëria, kishte thënë një i urtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›