Reformat që na futin në NATO, por jo në BE si Kroacia
Po të shihet si një akt në vetvete, integrimi i Shqipërisë në NATO është një vlerë e padiskutueshme, e cila, në fakt, u komentua aq shumë këto ditë, saqë çdo koment tjetër vetëm se do të kishte efekt zhvlerësues për të. Ajo që mbetet akoma e pa komentuar, ose e komentuar vetëm në sipërfaqe, është vlerësimi i zinxhirit të ngjarjeve që ndodhën të shtrira në kohë dhe që u finalizuan me pranimin e Shqipërisë në Aleancë. Në këtë pikë, shumica e shqiptarëve janë të paqartë dhe nuk ka se si të mos jenë. Pozita shprehet që ishin reformat e kryera prej saj, që bindën demokracitë perëndimore ta pranojnë Shqipërinë në Aleancë dhe, në momentin që akuzohet për përdorim politik të procesit, menjëherë shton që, në fakt, krejt procesi i anëtarësimit është meritë e shqiptarëve. Opozita mban pothuajse të njëjtin qëndrim. Pranon që ishin reformat ato që e çuan vendin në anëtarësim, por, me ndryshimin që nuk ishin vetëm reformat në katër vitet e fundit, por reformat në tërësi, edhe ato të shtrira në kohën e qeverisjes së saj. Opozita e përfundon arsyetimin njësoj si pozita, duke thënë, sigurisht sa për rutinë, që e gjithë merita ose shkaku i plotë dhe më esencial që çoi në ndodhjen e aktit të anëtarësimit, i takon shqiptarëve. Është bërë kristal e qartë që politika shqiptare është e bindur se Shqipëria u anëtarësua në NATO për shkak të dy faktorëve: reformave dhe shqiptarëve.
Le t’i shohim me vëmendje këta dy faktorë dhe të mundohemi të gjejmë, nëse ata kanë qenë shkak apo jo i pasojës. Le të fillojmë me shqiptarët. Në thelb, një popull, kushdo qoftë, nuk mund të jetë shkak i përfshirjes së vendit në një Aleancë. Një popull mund ta pranojë apo ta refuzojë atë dhe kjo ndodh, vetëm kur ai pyetet nga politika. Është populli shqiptar ai që pranoi që vendi të futej në një Aleancë të kundërt në përmbajtje me NATO-n, në Traktatin e Varshavës. Në atë kohë, populli shqiptar nuk u pyet, por gjithsesi, i indoktrinuar siç ishte, mund të konsiderohet që edhe nëse pyetej, ai nuk do ta refuzonte atë Traktat. Po kështu, edhe për sa i përket krijimit të miqësive të reja, prishjes së tyre posa bëheshin të vjetra dhe rilidhjen e të tjerave mbi hirin e të parave. Miqësitë e krijuara dhe të prishura me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik, Kinën, kishin në fakt vlerën e hyrjes në, apo të daljes nga një aleancë. Aq më shumë, krijimi i një miqësie të re, me siguri shoqërohej me të kundërtën, me ringjalljen e një armiku të ri, ashtu sikundër, dalja nga kjo aleancë, nuk çonte vetëm në një mik të ri, në një aleancë të re, por edhe në shndërrimin e mikut të dikurshëm në të kundërtën e tij, në një armik të përbetuar. Qartësisht, siç kishin bërë gjithmonë, të paktën në historinë moderne, shqiptarët nuk e refuzuan anëtarësimin në NATO, dhe këtu përfundon edhe roli i shqiptarëve në krejt këtë proces anëtarësimi. Me aprovimin që dhanë, megjithëse përsëri nuk u pyetën, ata iu falën Zotit edhe njëherë në jetën e tyre, që miqtë e rinj, ky anëtarësim, t’i sjellë të mira këtij vendi të vuajtur, të paktën aq sa të mund të justifikojnë detyrimet që do të duhet të paguajnë në të gjitha pikëpamjet, veçanërisht detyrimin e angazhimit të djemve shqiptarë në misionet në dhé të huaj. Nëse përjashtojmë shqiptarët nga mundësia për të qenë shkak apo meritë e anëtarësimit, atëherë mbetet vetëm një faktor që të mund ta luajë këtë rol. Pra, mbetet që shkak potencial për anëtarësimin të kenë qenë reformat dhe shkalla e kryerjes së tyre në Shqipëri. Atëherë, sa e vërtetë është kjo?
. . .
Politika është dakord që kështu është, që reformat sollën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Si e majta, ashtu edhe e djathta, mendojnë që reformat janë vlera me të cilën u ble anëtarësimi, kjo vlerë e re, e padiskutueshme e të qenit pranë aleatëve të mëdhenj. Grinden për kohën e konsiderimit të tyre, d.m.th., reformat gjatë viteve të fundit apo reformat edhe në kohën e qeverisjes së majtë u bënë shkak për këtë anëtarësim. Gjithsesi, kjo grindje është absolutisht jashtë fokusit të arsyetimit tim. Ajo që mbetet në ndërgjegjen time dhe jo vetëm timen, është të gjej përgjigjen më realiste të pyetjes: A ishin vërtet reformat ajo vlerë me të cilën u ble anëtarësimi në NATO?
Ka dy mënyra që të ndihmojnë të gjesh përgjigjen. E para është e tërthortë, por gjithsesi logjike. Shqipëria u pranua në të njëjtën kohë me Kroacinë, çka presupozon që të dy vendet të karakterizohen nga standarde relativisht të njëjta. Kjo nuk është e vërtetë. Kroacia ka standarde shumë më të larta se Shqipëria, jo vetëm në pikëpamjen ushtarake, jo vetëm në pikëpamjen e nivelit të jetesës, por, para së gjithash, në pikëpamjen e aplikimit të demokracisë në vend. Standardet e Kroacisë ndryshojnë në mënyrë domethënëse, apo siç quhet në statistikën matematike, në mënyrë sinjifikative, me ato të Shqipërisë. Kroacia është shumë afër në këtë pikëpamje me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe prandaj automatikisht është shumë më e avancuar në raport me vendin tonë. Qartësisht, Aleanca përdori dy standarde në pranimin e njëhershëm të të dy vendeve: një standard për Kroacinë, standard i kërkuar, dhe një tjetër për Shqipërinë, standard shumë më i ulët se i kërkuari, aq sa akoma nuk ka sigurinë se më së fundi Shqipëria do të mund të kryejë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mënyra e dytë për të gjetur përgjigjen ndaj pyetjes se a ishin vërtet reformat ajo vlerë me të cilën u ble anëtarësimi në NATO, është fare e drejtpërdrejtë, është thjesht një fotografim i realitetit shqiptar dhe si e tillë s’ka nevojë të provohet që është apo jo logjike, s’ka nevojë për vërtetim. Asnjë nuk mund të dalë dhe të thotë që të paktën një reformë, nga ato të përshkruara në programin e qeverisë, është nisur dhe çuar në fund. Të gjitha reformat e nisura, ose janë lënë në mes, ose kanë marrë drejtimin e gabuar, çka e ka çuar vendin në një çoroditje unike, të pashembullt, të pakrahasueshme. Aq sa institucionet e këtij vendi, veçanërisht ato të shërbimeve, si arsimi dhe shëndetësia, por sigurisht duke mos u kufizuar vetëm këtu, kanë një status “miks”, “gjysmagjel”, dhe qeverisen “gjysmë” si në kohën e totalitarizmit dhe “gjysmë” si në një sistem demokratik. Gjithsesi, pikërisht për këtë arsye, por jo vetëm këto dy institucione, krejt sistemi i institucioneve të këtij vendi është mbuluar nga paaftësia dhe korrupsioni.
Të gjitha analizat, pavarësisht nga metoda e përdorur, të çojnë në përfundimin se nuk janë as reformat, as shkalla e kryerjes së tyre, as suksesi që ato sjellin, shkak për anëtarësimin. Asnjëherë, përjashto rastin e reformimit të detyrueshëm të ushtrisë, që gjithsesi u vu në një dyshim të madh për shkak të skandalit mesjetar të Gërdecit, reformat nuk kanë qenë një vlerë e mjaftueshme për të blerë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Shqiptarët, të cilët u gëzuan në fillim, tani kanë patur kohën e nevojshme për të vënë në pikëpyetje besimin që kanë te sinqeriteti i vendeve të mëdha perëndimore, të cilat deri më sot në mënyrë të qartë iu kanë treguar shqiptarëve dhe politikanëve të tyre se cilat janë standardet dhe si mund të plotësohen ato. Ky ishte edhe besimi më i madh që shqiptarët kanë patur te ndërkombëtarët. Sepse, duke qëndruar strikt në kërkesën e tyre ndaj politikanëve shqiptarë për plotësimin e standardeve të kërkuara, në mënyrë fare të drejtpërdrejtë ndërkombëtarët kanë kohë që ushtrojnë presion, që frenojnë deri në njëfarë shkalle etjen e shfrenuar të politikës për të abuzuar në kurriz të shqiptarëve dhe me pasuritë e tyre. Tani, edhe ky besim, ndoshta i fundit, u trondit. Shqiptarëve nuk iu tha e vërteta. Shqiptarët njohin më shumë se gjithkush tjetër, në mos sekretet, në mos ato që fliten në zyrat ku ata nuk do të arrijnë kurrë të dëgjojnë faktet e jetës së tyre të përditshme. Përveç kësaj, ata kanë edhe intuitën e pagabueshme për të kuptuar që nuk ishin reformat, kryerja e tyre, shkaku i anëtarësimit në NATO. Pra, nuk ishte një vlerë e tyre, nuk ishte një vlerë e demokracisë shqiptare ajo me të cilën u ble anëtarësimi. Ishte një gjë tjetër që shqiptarët sigurisht nuk e dinë. Vetëm supozojnë që ndoshta më shumë se me Shqipërinë, ka të bëjë me NATO-n, nevojën që ka ajo për të zënë pozita edhe më të favorshme, më të sigurta në të ardhmen e saj. Por vetëm kaq. Që të mos iu thuhej e vërteta nga politikanët e tyre, kjo është e natyrshme për shqiptarët. Në Shqipëri, politika ka kohë që nuk e artikulon më të vërtetën, të drejtpërdrejtën, përkundrazi, qeveris, sepse di ta fshehë atë. Por, është plotësisht tjetër gjë, kur edhe ndërkombëtarët nuk e thonë të vërtetën. Jo vetëm për këtë rast. Ashtu sikundër do të ishin të detyruar t’ia thoshin popujve të tyre.
. . .
Shqiptarët ndoshta nuk do ta mësojnë kurrë të vërtetën, shkakun më të thellë të anëtarësimit të vendit të tyre në Aleancë, madje, edhe kur qeveria e tyre nuk kishte plotësuar standardet, edhe me reforma të lëna përgjysmë, ose të ndërmarra gabim. Fatkeqësisht, kjo gjë nuk është e parëndësishme për ta, megjithëse vlera e aktit të anëtarësimit në vetvete është shumë më e madhe se shkaku që e prodhoi këtë vlerë. Kështu, në qoftë se ndërkombëtarët vazhdojnë të thonë që ishin reformat apo përpjekjet e shqiptarëve që e çuan vendin në anëtarësim, kjo gjë, as më shumë dhe as më pak, do të përkthehet si të ishin përpjekjet e qeverisë apo politikës shqiptare në përgjithësi që çuan në anëtarësim. Do të përkthehet se si reformat e munguara u shitën si reforma të kryera, si antivlera u shit si vlerë, dhe akoma më shumë, u shit si një vlerë që prodhoi vlerën e madhe të anëtarësimit. Në fakt, kaq duan ata që na qeverisin sot, kaq duan edhe ata që do të na qeverisin nesër, kaq duan edhe ata që nuk qeverisin, por vetëm bërtasin, kaq duan të gjithë politikanët, që të mund të vazhdojnë të sillen me popullin e tyre si janë sjellë deri më sot, tani edhe më zi, më arrogantë se më parë, të hipur në kalin e alibisë së kryerjes së reformave, kur nuk i kanë kryer ato. Nga ana tjetër, kjo nuk është hera e parë që ndodh kështu, nuk është hera e parë se si një antivlerë shitet si vlerë ose së paku se si ndërkombëtarët heshtin, jo rrallë edhe nën presionin e zyrtarëve mediokër shqiptarë. Shpesh, kjo ndodh për hir të ruajtjes së stabilitetit, që jo në pak raste konceptohet si një ekuilibër statik, si një status quo. Dhe jo si një ekuilibër që ndryshon çdo ditë, rivendoset në nivele më të larta, nga njerëz të guximshëm që s’kanë frikë nga sfida e ndryshimit, dinamika e saj. Gjithsesi, politika shqiptare, veçanërisht qeverisja, është në ditët e saj më të mira. Por edhe në mëkatin më të madh të përbashkët me opozitën. Sepse, nuk kanë kurajën t’u thonë shqiptarëve të vërtetën, atë që nuk ishte vlera, nuk ishin reformat që sollën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ishte fati i bardhë, më së fundi, pas kaq shekujsh jete që shqiptarët i kaluan nën peshën e një fati tragjik.