VENDIM PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E DISA PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË, NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”, VLORË, PËR VITIN AKADEMIK 2008-2009
V E N D I M
PËR
HAPJEN DHE MBYLLJEN E DISA PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË, NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”, VLORË, PËR VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, pranë universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në Fakultetin e Shkencave Teknike, të programeve të studimit, të ciklit të parë, në formën e studimeve me kohë të plotë, “Informatikë”, “Matematikë”, me dy drejtime, “Matematikë” dhe “Matematikë-Fizikë”, dhe “Inxhinieri mekanike”, me dy drejtime, “Inxhinieri mekanike” dhe “Inxhinieri navale”.
2. Kohëzgjatja e secilit program do të jetë 3 vjet, me 180 kredite. Në përfundim të secilit program studimi lëshohen, përkatësisht, “Diplomë e nivelit të parë, në Informatikë”, “Diplomë e nivelit të parë, në Matematikë”, “Diplomë e nivelit të parë në Matematikë-Fizikë”, “Diplomë e nivelit të parë në Inxhinieri Mekanike” dhe “Diplomë e nivelit të parë në Inxhinieri Navale”.
3. Mbylljen, pranë universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në Fakultetin e Shkencave Teknike, të programit të studimit “Inxhinieri Navale”.
4. Mbylljen, pranë universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në Fakultetin e Edukimit, të programit të studimit “Matematikë-Fizikë”.
5. Studentët e regjistruar në programet e studimeve “Inxhinieri Navale” dhe “Matematikë-Fizikë” para hyrjes në fuqi të këtij vendimi do t’i vazhdojnë studimet në këto programe studimi, për kohëzgjatjen normale të tyre. Studentët mbetës në këto programe studimi do të marrin diplomën, në varësi të afateve të studimeve të kryera.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, pa efekte buxhetore shtesë.
7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA