VENDIM PËR HAPJEN DHE MBYLLJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË, NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, KORÇË, PËR VITIN AKADEMIK 2008-2009
V E N D I M
PËR
HAPJEN DHE MBYLLJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË, NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, KORÇË, PËR VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, pranë universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, në Fakultetin e Mësuesisë, të programeve të studimit, të ciklit të parë, në formën studimore me kohë të plotë, “Matematikë-Fizikë” dhe “Matematikë-Informatikë”.
2. Kohëzgjatja e secilit program do të jetë 3 vjet, me 180 kredite. Në përfundim të secilit program studimi lëshohen, përkatësisht, “Diplomë e nivelit të parë në Matematikë-Fizikë” dhe “Diplom2ë e nivelit të parë në Matematikë-Informatikë”.
3. Mbylljen, pranë universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, në Fakultetin e Mësuesisë, të programit të studimit “Matematikë”.
4. Studentët e regjistruar në programin e studimit “Matematikë”, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do t’i vazhdojnë studimet në këtë program studimi për kohëzgjatjen normale të tij.
Studentët mbetës do të marrin një diplomë, në varësi të afateve të studimeve të kryera dhe programit të studimit të ciklit të parë “Matematikë-Fizikë” ose “Matematikë-Informatikë”, të përzgjedhur prej tyre.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, pa efekte buxhetore shtesë.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA