VENDIM PËR SHPRONËSIMIN E PRONARËVE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN E PRONARËVE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “ Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin e pronarëve, për sipërfaqet takuese, të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale, në qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit.
2. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelёn, qё i bashkёlidhet kёtij vendimi, për sipërfaqen 66 822,14 (gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e dy presje katërmbëdhjetë)m², tokë/truall, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 1 514 896 721,56 (një miliard e pesëqind e katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet e një presje pesëdhjetë e gjashtë) lekë.
3. Ky fond do të krijohet nga të ardhurat e arkëtuara në buxhetin e shtetit, gjatë procesit të legalizimeve, nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, që do të përfshihen në fondin e kompensimit financiar, të parashikuar nga ligji nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
4. Ngarkohet Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së kompensuar në pronësi të shtetit.
5. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioni, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
19/02/2009