VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA HYRËSE, BERAT”
V E N D I M
PëR
SHPRONëSIMIN, PëR INTERES PUBLIK, Të PRONARëVE Të PASURIVE Të PALUAJTSHME, PRONë PRIVATE, Që PREKEN NGA NDëRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA HYRëSE, BERAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, për vitin 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga hyrëse, Berat”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 1 236 (një mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) m2, tokë truall, të vlerësuar me çmimin 3100 (tre mijë e njëqind) lekë/m2, me vlerë 3 831 600 (tre milionë e tetëqind e tridhjetë e një mijë e gjashtëqind) lekë, si dhe për objekt, me vlerë 318 883 (treqind e tetëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tre) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 4 150 483 (katër milionë e njëqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e tre) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 655 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekë, do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 4 150 483 (katër milionë e njëqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e tre) lekë, të përballohet nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë “Fondi i shpronësimeve.
6. Shpronësimi të fillojë më 30.07.2010 dhe të përfundojë më 30.10.2010.
7. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Pronari, për të cilin në kolonën “Shënime” është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP_ja; “Objekti në proces legalizimi”, të kompensohet për vlerën e objektit, pasi të kenë përfunduar procedurat përkatëse të legalizimit e të regjistrimit, si dhe pasi të ketë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
9. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë likuidimin e pronarëve, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP-ja”, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë.
10. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të kryejë likuidimin e pronarit, për të cilin është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP-ja, “Objekti në proces legalizimi” pasi të kenë përfunduar procedurat përkatëse të legalizimit e të regjistrimit, si dhe pasi ky pronar të ketë paraqitur dokumentacionin e pronësisë.
11. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Berat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimeve që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, si dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor te shtetit.
12. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në çastin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat treguse të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
13. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Berat, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA
23/07/2010