E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR shpronËsimin, pËr INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN - KALIMASH

V E N D I M

PëR

shpronësimin, për INTERES PUBLIK, Të PRONARëVE Të PASURIVE Të PALUAJTSHME, PRONë PRIVATE, Që PREKEN NGA NDëRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRëSHEN - KALIMASH

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, për vitin 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Rrëshen – Kalimash.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen tokë arë 32 626 m2, vlerësuar me çmimin 650 lekë/m2, me vlerë 21 206 900 (njëzet e një milionë e dyqind e gjashtë mijë e nëntëqind) lekë, truall me sipërfaqe 7 368 m2, vlerësuar me çmimin 1 500 lekë/m2, me vlerë 11 052 000 (njëmbëdhjetë milionë e pesëdhjetë e dy mijë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 32 258 900 (tridhjetë e dy milionë e dyqind e pesëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind) lekësh, si dhe për sipërfaqen tokë arë 34 499.9m2, vlerësuar me çmimet sipas hartave të zonave të cilat preken, me vlerë 7 055 234.2 (shtatë milionë e pesëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tridhjetë e katër pikë dy) lekë, truall me sipërfaqe 853m2, vlerësuar me çmimet sipas hartave të zonave të cilat preken, me vlerë 454 246 (katërqind e pesëdhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e gjashtë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 7 509 480.2, (shtatë milionë e pesëqind e nëntë mijë e katërqind e tetëdhjetë pikë dy) lekësh, objekte me vlerë 18 241 481 (tetëmbëdhjetë milionë e dyqind e dyzet e një mijë e katërqind e tetëdhjetë e një) lekë, me një vlerë totale shpronësimi prej 58 009 861.2 (pesëdhjetë e tetë milionë e nëntë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e një pikë dy) lekësh.

4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 1 705 000 (një milion e shtatëqind e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

5. Vlera totale e shpronësimit prej 58 009 861.2 (pesëdhjetë e tetë milionë e nëntë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e një pikë dy) lekësh, të përballohet nga “Llogaria e veçantë”, e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë “Fondi i Shpronësimeve”.

6. Shpronësimi të fillojë më 15.6.2010 dhe të përfundojë më 15.9.2010.

7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

8. Pronarët e listave që i bashkëlidhen këtij projektvendimi, për të cilët është bërë shënimi “Proces legalizimi”, të likuidohen për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar ky proces dhe të jenë bërë regjistrimet përkatëse pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Mirditë.

9. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, të kryejë likuidimin e pronarëve, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP”, në bazë të dokumentacionit të pronësisë.

10.Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarëve, për të cilët është bërë shënimi “Proces legalizimi”, sipas pikës 8, të këtij vendimi, dhe pasi të ketë marrë një konfirmim zyrtar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Mirditë.

11.Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


09/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›