Lakrori: PS të mos bojkotojë Kuvendin, ftoj Ramën në debat
Rivali i Ramës për kreun e PS-së, Maqo Lakrori, e ftoi kryetarin në detyrë në një debat publik për të ballafaquar platformat e tyre. “Jam i gatshëm gjithashtu që unë dhe konkurrenti im të zhvillojmë një debat përfundimtar publik live në TV, një ose dy ditë përpara votimit të 26 shtatorit”, bëri të ditur kandidati zyrtar për postin e kryetarit socialist. Sipas tij, ky nuk është procesi i dy individëve që konkurrojnë për një detyrë, por është proces i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht është edhe i gjithë shoqërisë shqiptare. Sipas Lakrorit, kuvendi është i vetmi vend ku opozita mund të zhvillojë luftën e saj politike. “Parlamenti është vendi ku përfaqësuesit e PS duhet të zhvillojnë betejën politike për të gjitha çështjet, duke filluar nga qëndrimi për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat Kongresi ynë i cilësoi me legjitimitet thellësisht të cunguar, e deri te realizimi i një opozite më kritike të argumentuar dhe alternativa e zgjidhjeve, për çdo çështje”, deklaroi Maqo Lakrori. Lakrori ftoi cilindo të interesuar që fillimisht të analizojë e të krahasojë platformat e konkurrenteve dhe veprimtarinë e tyre të derisotme në jetën politike të Shqipërisë.