E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, PS bojkoton Kuvendin

 

Aristir Lumezi

Kryesia socialiste vendosi bojkotimin e parlamentit. Pas një mbledhje që zgjati rreth pesë orë, Edi Rama foli qartë se socialistët nuk mund të jenë në një parlament që ka legjitimitet të cunguar. “Nuk do bëjmë bojkot primitiv, nuk do jemi me kurriz por me sytë nga parlamenti dhe jo domosdoshmërisht brenda tij”, u shpreh kreu socialist në detyrë menjëherë pas mbledhjes, duke shpallur kështu dhe vendimin e kryesisë e cila do t’ia lerë formalisht sot grupit parlamentar për ta vendosur. Edhe dje mbledhja e kryesisë ka pasur debate të ashpra mes dy qëndrimeve, atij që përfaqësohet nga Edi Rama për bojkot të parlamentit dhe qëndrimit të anëtarëve të kryesisë dhe njëkohësisht qëndrimit të përfaqësuar nga Blushi, Malaj, Harasani, Islami dhe të tjerë që e konsiderojnë bojkotin një shkatërrim të PS-së dhe rikthim të saj në metodat e PD-së së vjetër. Mësohet se dhe anëtarë të tjerë të kryesisë, të cilët njihen si mbështetës të Edi Ramës, dhe pse janë shprehur pro bojkotit, kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si do të dilet nga ky bojkot. Sipas tyre, nëse një nga kushtet e vendosura nga PS nuk plotësohet, cili do të jetë qëndrimi i mëtejshëm i saj përballë parlamentit. Kryetari socialist në detyrë, Edi Rama ka ofruar si kushte për të hequr dorë nga bojkoti hetimin parlamentar të zgjedhjeve, ku ai përfshin vendimet e KQZ-së, por dhe hapjen e kutive të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës, të cilat sipas tij mund të përmbysin rezultatin zgjedhor dhe maxhorancën aktuale e cila këto ditë nis nga puna. Kastriot Islami i ka kërkuar Ramës të mos fshihet pas fjalëve qëndrim i kushtëzuar pasi sipas tij, ky qëndrim është një bojkot i pastër. Ndërsa Ben Blushi e ka cilësuar këtë qëndrim që kryesia merr për zgjedhjet, si një qëndrim që merret vetëm në interesin personal të Edi Ramës, si një alibi të tij ndaj humbjes së zgjedhjeve ndërsa kushtet e paraqitura si arsye për të negociuar me Berishën. Mësohet se grupi parlamentar socialist do të jetë prezent në kuvend vetëm në seancën e bërjes së betimit, seancë e cila bëhet pas ngritjes së komisionit të verifikimit të mandateve.
Rama
“Kryesia mori një vendim lidhur me përcaktimin e qëndrimit të Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentarm për pjesëmarrjen në një parlament të cilin rezoluta e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste e konsideron me legjitimitet të cunguar. Marrëdhëniet me parlamentin do të jenë të kushtëzuara. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar nuk mund të jenë pjesë e një jete parlamentare e cila nuk ka dalë nga vullneti i popullit”, u shpreh pas mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, qëndrimin dhe modalitet e këtij qëndrimi do t’i vendosë grupi parlamentar socialist. “Kryesia vendosi t’i përcjellë grupit vendimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Partia Socialiste do jetë pjesë e parlamentit vetëm pasi shumica e tij me mandat politik jolegjitim të konsiderojë dhe plotësojë kushtet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe gjithë kuadrin e demokracisë dhe të garës demokratike me vendin tonë”, shtoi më tej kreu socialist.

Kushtet për të dalë nga bojkoti

    Zbardhja e krimit elektoral të 28 qershorit

    Komision hetimor për të hapur kutitë e Tiranës, Beratit dhe Shkodrës

    Rikthimi në punë i të gjithë atyre që janë larguar pas 28 qershorit, pse bënë fushatë për PS-në

    Zbardhja e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi

    Transparencë mbi korrupsionin në administratë me përdorimin e mjeteve dhe fondeve publike në fushatën elektorale

pjesë nga Debati në kryesi

Malaj: Zoti Rama, ti s’duhet të jesh në karrigen e kryetarit, pasi je pa mandat, madje nuk je as anëtar kryesie.
Rama: Këtë mbledhje e kam thirrur unë dhe jam kryetar në detyrë
Malaj: Meqenëse je kandidat për kryetar, duhet të kishe thirrur dhe kandidatin tjetër, Maqo Lakrori
Blushi: Zoti Ruçi, dua që të na zbardhësh të gjithëve si kryesi, si u ndryshua me bojkot rezoluta e Asamblesë Kombëtare. Ende nuk kemi të zbardhur rezolutën e kongresit
Ruçi: Ishte propozim i disa delegatëve dhe unë i hodha në votim, duke ia bashkangjitur rezolutës së asamblesë me të cilat do merrej kryesia dhe grupi parlamentar
Blushi: Ti kalove me votim propozimin e disa delegatëve dhe nuk pranove propozimin e 300 delegatëve të kongresit. Dua të njihem se cilët ishin këta delegatë, emrat e tyre.
Bare: Propozimet janë bërë nga salla e kongresit dhe nuk është diskutuar në PS e Tiranës
Ruçi: Për mua ne s’duhet të futemi në parlament, por mund edhe të shkojmë në një qëndrim më të zbutur, në një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin
Islami: Nuk ka marrëdhënie të kushtëzuar, ky është bojkot. Rreziku më i madh është se ne nuk do kemi arsye për t’i rifutur në Kuvend, kjo do të na dëmtojë imazhin e PS-së dhe kredibilitetin te votuesit
Shamku: Zoti Islami, mund t’ju sqaroj pak kuptimin e fjalës bojkot?
Islami: Në radhë të parë je shumë e re në PS, por dhe në profesion për të më dhënë një sqarim të tillë. Unë kam bërë doktoraturë në Paris, ndërsa ti ke mbaruar kimi dhe në mënyrë autodidakte merresh me gjuhësi, prandaj s’mund të më sqarosh kuptimin e bojkotit.
Rama: Ne duhet të vendosim një marrëdhënie të kushtëzuar me këtë parlament me legjitimitet të cunguar. Deputetët s’kanë pse shkojnë në parlament vetëm për t’u bërë deputetë, e për të marrë rrogën, s’është e drejtë kështu, nuk bëhet kështu politika.
Malaj: Ne jemi 65 deputetë dhe me këtë numër mund të bëjmë opozitë shumë të fortë dhe hetim parlamentar
Blushi: Bojkoti bëhet vetëm për arsye personale të Edi Ramës, që shkon nga njëra alibi te tjetra. Ndërsa me kushtet që na paraqet, ti kërkon të negociosh personalisht me Berishën. PS nuk mund të kthehet në një parti të kryetarit. Nëse ti e kërkon vërtet këtë bojkot, unë të ftoj të lesh karrigen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, dhe ne na ke me vete, bashkë me popullin të dalim në rrugë. Por bojkot duke qenë në karrigen e Bashkisë së Tiranës nuk mund të ketë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›