E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZNI, gati 3 mijë dosjet për legalizim

Autori i Lajmit: Lili Saraci
Drejtoria e ALUIZNIT është duke përgatitur rrethe 3 mijë dosje për legalizime. Të dhënat bëhen të ditura për gazetën “Ballkan” nga inxhinieri i kësaj agjencie, Agim Berisha, i cili është shprehur për gazetën tonë se janë duke bërë gati 3 mijë dosje të qytetarëve të Tiranës në disa njësi bashkiake. Kështu, sipas Berishës, listat e radhës për qytetarët pritet të dalin në fund të muajit ku banorë të njësive bashkiake Nr, 3, 4, 7, 11 do të jenë këtë herë fituesit e radhës, të cilët do të bëjnë pagesat me letra me vlerë ose cash. Ai ka shpjeguar se procesi i legalizimeve po ecën shumë mirë. “Në vazhdimësi të procesit të legalizimeve, ne jemi duke përgatitur dhe presim ti shpallim emrat diku nga fundi i këtij muaji rreth 2500-3000 dosje për të gjithë qytetarët të disa njësive bashkiake siç janë 3, 4, 7, 11. Agjencia jonë, pavarësisht se ka nxjerrë fitues nga këto njësi bashkiake do të ketë sërish fitues të rinj njësi bashkiake që siç e thamë më lart do të dalë së shpejti. Ndërsa për sa i përket pagesës me bono, ka mjaft qytetarë që janë të interesuar për të paguar. Madje një javë më parë ne kemi nxjerrë dhe emrat e 1500 fitueseve dhe pothuajse të gjithë kanë paguar me letra me vlerë. Ajo që dua të theksoj është se procesi i legalizimeve do të përfundojë brenda vitit, por kjo varet edhe nga vetë qytetarët se sa do të shkojnë të bëjnë pagesën qoftë me letra me vlerë, qoftë me cash. Megjithatë, për sa i përket qytetit të Tiranës them se brenda vitit do të ketë përfunduar procesi i legalizimeve të banesave”,- ka pohuar inxhinier Agim Berisha. Ndër të tjera, ai ka shpjeguar edhe procedurat se si kryhet procesi i legalizimeve dhe si bëhet pagesa me bono. Pra, sipas Berishës, qytetarët që kanë ndërtim pa leje dhe janë në proces legalizimi, mund të plotësojnë formularët e rinj për të paguar deri në 70 për qind të detyrimeve me bono privatizimi, si dhe formularët e pagesës me bono privatizimi të parcelës ndërtimore. Çdo zotërues i një ndërtimi pa leje duhet të plotësojë këtë formular pranë zyrave të legalizimeve, nëse dëshiron të paguajë me letra me vlerë. Afati i fundit, sipas ligjit, është data 12 qershor dhe qytetarët mund të paguajnë deri në 70 për qind me letra me vlerë. “Procesi fillon nga matjet në terren, verifikimi i fotografimit ajror dhe informacionet e dixhitalizuara. Të gjitha këto merren dhe përpunohen nga ne. Trajtohen nëpërmjet sektorit përgjegjës dhe nxirret nëse ky rast është për tu kualifikuar në procesin e legalizimit. Në qoftë se sektorët e posaçëm si janë kompensimi, urbanistika etj, vendosin që kjo i plotëson kushtet, atëherë përgatitet dosja për tu kaluar në qeveri. Me miratimin në qeveri ne marrim dosjet e tyre dhe u japim qytetarëve faturat me anë të postave në mënyrë që qytetarët të mos sorollaten, të mos bien pre e sekserëve, pra të gjitha marrëdhëniet i kemi bërë institucionale”,- pohon Berisha. Vetëm Tirana sot ka 86 mijë ndërtime pa leje dhe ne i kemi shëtitur dhe i kemi bërë matjet në të gjitha ambientet e shtëpive, pra shkallë, dhomë, kuzhinë, parkim, gjithçka që ka një ambient. Kemi dixhitalizuar të gjitha hartat që janë marrë nga fotografimi ajror. Kemi të gjitha informacionet e nevojshme për të gjithë pronat që ka sot Shqipëria. Sipas ing. Berishës kjo shifër është vetëm për ndërtimet pa leje të deklaruara.

“Ja rregullat për të legalizuar pronën dhe të kryejnë pagesën me letra me vlerë”

Për të legalizuar pronën apo banesën, qytetarët tashmë kanë dy mënyra pagese, atë me bono, por dhe pagesën me cash për ata qytetarë që nuk kanë letra me vlerë. Megjithatë, për sa i përket afatit tremujor për kompensimin e qytetarëve që kanë paguar me CASH ky afat është vetëm për ata persona që kanë kryer pagesën dhe janë në proces legalizimi. Këta persona, brenda tre muajve, duhet të paraqesin pagesën për rimbursim. Ndërkaq, pjesa tjetër që do të vazhdojë legalizimin e objekteve do të ketë mundësinë në çdo kohë që të paraqesë letra me vlerë. Në një intervistë për gazetën “Ballkan”, ing. Agim Berisha ka pohuar se me hyrjen në fuqi të ligjit për legalizimet, qytetarët tashmë kanë mundësi të bëjnë pagesën duke filluar nga dita e premte e në vazhdim edhe me bono. Por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se pagesa me Cash nuk do të bëhet, përkundrazi, sipas Berishës, qytetarëve u është shtuar një mundësi më tepër, në mënyrë që të mos sorollaten nëpër zyra apo të gënjehen nga sekserët. Gjatë intervistës, ai na ka shpjeguar edhe mënyrat e regjistrimit fillestar të pronës, se si duhet të veprojë një qytetar.

Sipërfaqet që paguhen me bono privatizimi

Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 % të vlerës me bono privatizimi. Bëjnë përjashtim objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte.

Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen për Eurobondin

Është miratuar marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe Deutsche Bank dhe Morgan Securities, si menaxhere për transaksionin e emetimit të eurobondit deri në 400 milionë euro. Eurobondi me vlerë deri në 400 milionë euro, që qeveria shqiptare do të emetojë në tregun ndërkombëtar do të ketë një normë interesi deri në 7.5% dhe do të merret për një afat 5-vjeçar. Zv.ministri i Financave, Nezir Aldeda, e ka konsideruar një veprim të zgjuar ekonomik marrjen e këtij borxhi për të shlyer kredinë 300 milionë euro me interes 11.5% të marrë vitin e kaluar për rrugën Durrës-Kukës duke hedhur kështu poshtë edhe akuzat e opozitës për thellim të borxhit të vendit. “E gjithë bota merr borxh për të larë borxh dhe ne po marrim një pjesë të këtyre që do rezultojnë nga eurobondet dhe kështu po shlyejmë një financim më të shtrenjtë me një më të ulët. Të marrësh një borxh më të lirë për të shlyer një borxh më të shtrenjtë është gjëja më e zgjuar dhe më e pranueshme. Në këtë aspekt, pavarësisht nga teoritë e krizës, njerëzit që nuk e shikojnë kështu e shohin krizën në aspekte të tjera dhe jo në aspektin ekonomik”,- u shpreh zv.ministri i Financave, Aldeda. Këtë deklaratë numri 2 i dikasterit të Financave e bëri në Komisionin parlamentar të Ekonomisë gjatë miratimit të marrëveshjes me bankat e huaja për emetimin e Eurobondit. Ai ka deklaruar se mbetet prioritet ulja e borxhit nën 50 % të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 59.55 e GDP-së që është aktualisht niveli i këtij treguesi.

Ky lajm është publikuar: 13/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›