VLADIMIR PRIFTI, ikona e kinemasë rrëfen magjinë e filmit
Petrika GROSI
Ikona e kinemasë shqiptare, Vladimir Prifti, është personazhi i kësaj jave në suplementin “Albania Weekend”. Regjisori i njohur dhe ndër më të suksesshmit shqiptarë, me filmat e tij, që kanë lënë gjurmë dhe që shikohen me dashuri edhe sot e kësaj dite nga publiku, tregon mbi përvojën me kinemanë, fillimet e aktrimit dhe kalimin në regji, emocionet e prapaskenat e filmit “Udha e shkronjave” apo “Kush vdes në këmbë”, marrëdhënien me aktorët e mëdhenj të kinemasë që nuk jetojnë më, si dhe shumë detaje të tjera që lidhen me jetën e tij, emocionet e filmit dhe punën e madhe që kërkon një realizim që i reziston kohës.
Që në fillimet tuaja si regjisor keni realizuar një film që përbën një pikë kulmore në krijimtarinë tuaj, siç është “Udha e shkronjave”. ǒdo të thoshte Vladimir Prifti lidhur me këtë?
Është filmi i parë i imi në Kinostudio. Skenari mbështetej mbi një tregim të Dhimitër Shuteriqit, i cili i botoi këto tregime të veçanta, tepër joshëse e interesante, dhe i strukturoi në formën filmike. Tregimi në vetvete nuk ishte më i gjatë se sa një faqe e gjysmë. Ne ishim në hapat e parë në televizion. Sapo kisha ardhur nga teatri dhe isha një krijues me ëndrra që më shumë i përkisnin skenës teatrale, sesa filmit, por kisha ndërtuar një film të ndërmjetëm, mes skenës dhe televizionit, siç ishte “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Për këtë film unë i kisha paraqitur disa koncepte, se si duhej që ai të ndërtohej për televizion, por “Udha” ndryshon. Ajo ishte me një skenar të mirëfilltë dhe një këndvështrim jo televiziv, por që i përkiste ekranit. Peçi Dado, skenarist i njohur në atë kohë në Kinostudio, e pranoi konceptin tim dhe mënyrën e strukturës së këtij filmi. Në strukturë vlente në radhë të parë këndvështrimi që kishte tregimi; udhëtimi i një figure të njohur idealiste si Dhaskal Todri, i cili sillte germa nga Gotenbergu për të realizuar edhe ai ëndrrën e tij, të shkrimit të gjuhës shqipe. Kjo ishte një nxitje si koncept, si atmosferë, si mënyrë dhe si kohë. Së dyti, tregimi kishte një strukturë interesante; një murg që vishet si fshatar e vret Dhaskal Todrin dhe lë të shokuar një karvanxhi që quhej Tunxh, por që në tregim nuk ishte i zhvilluar dhe nuk të linte asnjë lloj mbrese. Ndërtimi i figurës së Tunxhit u bë struktura e parë mbi të cilën u ndërtua ky film, pasi nëse do të kishim vetëm figurat e Dhaskal Todrit dhe të Ndrios, nuk do të arrinim ta shprehnim gjithë atë udhëtim të përgjakshëm të shkronjave. Dëshira e Dhaskal Todrit për të sjellë shkronjat dhe për gjuhën shqipe duhej të përplasej me një dëshirë tjetër. Këtu hyn Tunxhi, i cili i bëhet besnik i këtij njeriu, por nuk është se nuk e provokon në mënyrë të vazhdueshme. Duke u përplasur të dy me njëri-tjetrin bënë që filmi të merrte përmasa të tjera dhe mesazhi i tij të zgjerohej. Mos harrojmë se në finale është Tunxhi, të cilit i mbetet barra e rëndë për të çuar shkronjat në destinacion. Edhe figura e Ndrios pësoi ndryshime jo të vogla. Në këtë marrëdhënie, për të cilën po flasim, ndërtohet kurioziteti, ajo që në kinema quhet substancë. Ky njeri vishet si fshatar i zakonshëm për ta vrarë këtë njeri dhe në momentin që do ta gjejë, do ta vrasë vërtet. Kjo kornizë e njohjes së Tunxhit dhe Ndrios, që herë është në marrëdhënie me Dhaskal Todrin dhe kërkon ta ndalojë atë si fshatar, e herë në marrëdhënie me Tunxhin, i cili dyshon tek ai dhe beson se është njeri i pagdhendur, më dha shpresën se ky skenar do të kishte sukses. Skenari ka një histori të vetën, ai nuk shkruhet kurrë vetëm në momentet e një skenari letrar, por pëson vetiu ndryshime të njëpasnjëshme gjatë kohës së xhirimeve. Për fat, një nga udhëheqësit e Televizionit shtetëror e pa me shumë dashuri skenarin në atë kohë dhe na mbështeti. Kështu e nisëm punën dhe sot e kësaj dite mbaj copa letrash që këmbenim gjatë asaj kohe me Peçi Dadon. Gjithmonë kemi diskutuar mbi të mirën e skenarit.
Po nga aktorët e mëdhenj me të cilët punuat për këtë film (Sandër Prosi e Ndrek Luca), ç’mbresa keni pasur?
Natyrisht, skenari do një bazë të mirë, siç e shpjeguam, por është fat pastaj kur gjen dhe aktorë që janë në gjendje t’i çojnë më tutje personazhet. Të tre aktorët tek “Udha e shkronjave”, Sandër Prosi, Ndrek Luca dhe Bujar Lako, ishin të mrekullueshëm. Atë kohë isha vetëm 34 vjeç, por vija nga një shkollë e madhe, nga Teatri, dhe isha diplomuar për aktor me pedagogë të njohur si Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi etj. Gjithashtu, kisha punuar edhe me Pirro Manin dhe kisha vjelë shumë. Rruga e kinemasë ishte pak e re, por ajo që është bazë në kinema mbetet përjetimi. Pra, aktori duhet të projektojë në vetvete një ndjenjë të qartë të personazhit të tij dhe duhet ta përjetojë në veprimet fizike dhe emocionale. Ai duhet të veshë me çdo kusht ato lloj energjish të brendshme që ka figura vetë, dhe jo vetëm karakteristikat e jashtme. Vërtet Sandër Prosi merrej për orë të tëra me kalin, veshjet, mënyrën e ecjes etj., por nuk mendoj se këto do të ishin të mjaftueshme nëse do të mungonte një energji e brendshme dhe idealizmi i tij për dijen, përparimin dhe gjuhën shqipe. Sandri rrinte me orë të tëra duke i përjetuar momentet edhe në pauza. Më kujtohet se në momentet kyçe ai kërkonte një angazhim total të grupit. Po kështu, kurrë nuk e kisha parë Ndrek Lucën me atë energji dhe vërtetësi siç e realizoi finalen, kur Ndrioja i shpërfytyruar vret Dhaskal Todrin. Gjithashtu, mbaj mend drejtorin e fotografisë, Pali Kuken, i cili e mbante kamerën dhe krijonte lëvizje nga të gjitha krahët, duke kaluar nga një portret te tjetri. Ishim një grup, bashkë me Fatbardh Markun e Peçi Dadon, që e bëmë me shpirt këtë film.
Ishit një regjisor i ri që u përballe me aktorë të mëdhenj. Si ndiheshit dhe a patët probleme?
Këta tre aktorë kishin kohë që interpretonin në kinema dhe në teatër, por këndvështrimi i personazheve u sillte diçka të re atyre. Kjo është gjëja më e rëndësishme për një aktor. Pastaj, kur ata shohin se regjisori di të punojë me detajet dhe me emocionin që mund të burojë edhe nga lëvizjet më të vogla, atëherë vendoset një marrëdhënie e mirë. Debate gjatë një filmi ka, por ato nuk janë racionale, më tepër vijnë nga emocionet. Mund të duket e çuditshme, por në një moment të caktuar aktori thotë papritur se në çast është gati për ta bërë siç duhet një skenë. Një film është i ndarë në copëza dhe që t’i lidhësh këto copëza në një të tërë duhet që emocionet të jenë të vazhdueshme. Mes regjisorit dhe aktorit ka një proces njohjeje të vazhdueshëm.
Më kujtohet Kadri Roshi tek “Era e ngrohtë e thellësive”. Kur xhironim, ai ruhej, ndërkohë më lutej t’i shpjegoja çfarë kishte ndodhur më parë, ku ishte dhe ku do të shkonte... Pra Kadriu kërkonte ushqim shpirtëror për të realizuar rolin. Ka edhe nga ata aktorë që sa ulen në tavolinë futen menjëherë në skena. Personalisht, mendoj se kjo kategori nuk është profesioniste.
Mbaruat shkollën për aktrim. Nuk e di a ndieni keqardhje që nuk u bëtë aktor dhe si ndodhi që i hytë kësaj rruge?
Im atë ka qenë shofer me kamion në atë kohë dhe unë që i vogël kam udhëtuar vazhdimisht bashkë me të. Veriun, që sot ka një rrugë kaq të bukur, e kam bredhur atëherë me rrugë të vogla e të ngushta. Që atëherë, peizazhet, natyrën i shkoja gjithmonë si një proces imazhi. Pastaj, në Tiranë shtëpinë e kishim pranë kinemasë “Republika”. Aty luanim ndonjë ndeshje futbolli dhe shpesh kishim dëshirë që të kapërcenim muret e të shikonim për të tridhjetën herë “Skënderbeun”, apo dhe shumë filma të tjerë të neorealizmit. Më pëlqente kinemaja. I kisha dërguar një letër të vogël si gjimnazist Kristaq Dhamos, i cili kishte xhiruar filmin “Tana”. I shkruaja se doja të gjeja mënyrën për të qenë më pranë filmit. Ai më nxiti që të drejtohesha në shkollën e sapohapur për aktorët në vitet ’59-’60. Pas shkollës kalova në teatër. Aspekti i marrëdhënies me aktorin nuk është i vogël dhe nuk pretendoj ta shpjegoj gjatë kësaj interviste. Në fillimet e mia kam luajtur si aktor në disa role të vogla te filmat “Fytyra e dytë”, “Shtrëngata”, “Qielli i kuq”, si dhe në një dramë të njohur të Ibraim Uruçit, gjithashtu edhe në një pjesë që u vu në skenë nga Pirro Mani. Nuancat e mia të para regjisoriale nisën të spikasin te filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, megjithëse regjisor kryesor ishte Pirroja. Jo pak herë ai më linte që të punoja me aktorët e tjerë.
Çfarë mësuat nga Pirro Mani?
Ajo që mund të cilësohet mes të tjerash është se Pirro kishte një ekspresivitet të fuqishëm. Pirro kishte si veçanti që fjalën e kërkonte të mbështetur. Gjithmonë asaj duhet t’i gjendej motivi, objektivi, karakteristikat e komunikimit etj. Dialogu i Pirros nuk ishte kurrë pa nuanca, pa një kundërvënie midis veprimit dhe kundërveprimit. Ekspresiviteti i Pirro Manit ishte pjesë e spektaklit, çka është e dukshme edhe në lojën e aktorëve.
Keni qenë në një kabinë me Kadri Roshin. Cila është figura e tij, sipas optikës suaj?
Kadriu ka qenë dhe mbetet një aktor i mrekullueshëm. Ndoshta më shumë në teatër, por jo i pakët edhe në kinema. Në teatër i vlerësoj “Dhelpra dhe rrushtë”, Ezopi, apo tek “Epoka para gjyqit”. Ndërsa në film do të veçoja, nga interpretimet e tij, kujdestarin, te “Lulëkuqe përmbi mure”. Ishte një aktor i madh, që dinte t’i bënte të veçanta edhe rolet e vogla. Vetëm në dy filma, si “Udha e shkronjave” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kam pasur fatin të punoj me dhjetëra aktorë të mëdhenj. Këto dy filma janë xhiruar me 16 mm dhe fatkeqësisht sot që flasim, ndodhen në një gjendje të mjerueshme në arkivin e RTVSH-së. U kam kërkuar drejtuesve të Televizionit që këto vepra të rinovohen dhe të konsolidohen, në mënyrë që të mos humbasin, por asgjë nuk është bërë.
Çfarë përjetoni si regjisor ndërkohë që punoni me një film?
Filmi është shumë kompleks. Mund t’ju them se po të vini tani në studion time, do të gjeni të paktën 300-400 filma të kinematografisë botërore, me të cilët jam në kontakt të vazhdueshëm. Ata servirin jo pak pikëpamje, pasi janë filma të autorëve të mëdhenj. Por, krijimtaria e mirëfilltë në një film lidhet me embrionin. Ajo që ne quajmë pemë mund të lindë nga shumë shkaqe; një kontakt, një rrugë, një takim, një vepër që lexon apo një film që ti e shikon. P.sh., për filmin “Kush vdes në këmbë”, mbi figurën e Petro Nini Luarasit, ideja më erdhi në një mënyrë të çuditshme. Isha duke udhëtuar për në Ersekë me Dhori Qirjazin dhe duke biseduar ai më thotë se gjatë kësaj rruge udhëtoi Petro Nini Luarasi kur e helmatisën. Rrugës ai volli pa pushim, por gjithë kohës ndenji më këmbë. Në momentet që mbërritën te shtëpia e parë, mushka u rrëzua dhe ngordhi, ndërsa Petro Nini arriti të mbetej gjallë dhe të tregonte se kush e helmatisi. Ky ishte momenti që më ngacmoi, duke më bërë të mendoj për realizimin e filmit. Bashkëpunova me një shkrimtar nga më të njohurit e kinemasë, Naum Priftin. Për gati një vit e shkruam skenarin bashkë, derisa arritëm ta konsolidonim. Mbaj mend që me fantazi punoja gjithë natën. Filmi ngjan si i vërtetë, por në thelb është fantazi, ose një e vërtetë artistike. Ndjesia e krijimtarisë është e veçantë. As sot e kësaj dite nuk jam në gjendje ta shpjegoj magjinë e kinemasë. Po kështu edhe “Te Flutura në kabinën time” personazhi i filmit nuk ngjan fare me atë të Dritëro Agollit.
Pra, jeni gjithmonë në kërkim të emocioneve. Nga burojnë ato teksa flasim për filmin?
Sigurisht, emocionet nuk burojnë vetëm nga skenari. Mënyra se si është shkruar skenari është njëra anë, por këndvështrimi që ke për realitetin që do të trajtosh aty është baza. Regjisori mund të ndiejë emocione gjatë gjithë filmit, pasi ecën me të në çdo hap, ndërsa spektatori i ndien emocionet vetëm pasi e ka parë filmin. Ana spektakolare u ka munguar në përgjithësi filmave tanë. “Udha e shkronjave” në ato kohë i solli të gjitha këto, jo vetëm si skenar, por edhe si trajtim, regji, zhvillim e mbyllje. Kur filmi ka unitet, kam përshtypjen se ai nuk humbet në kohë.
Si ia kërkoni aktorit që të shfaqë emocionin kur ky i fundit duket se mungon?
Është e vështirë të flitet për një marrëdhënie të caktuar, pasi ajo varet nga rrethanat e filmit për të cilin je duke punuar dhe shumë detaje të tjera.
Kanë kaluar shumë vite që nga dalja e këtyre filmave për të cilët folëm. A keni pasur reagime nga njerëzit për to?
Meqë folëm për filmin “Udha e shkronjave”, po i referohem pikërisht këtij filmi. Që atëherë, Qamil Buxheli iu drejtua jurisë duke i thënë se filmi do t’i rezistonte kohës dhe duhej patjetër që të merrte çmim. Dhe kështu ndodhi. Pastaj, në një intervistë që i bënë Ramiz Alisë mbi Televizionin shtetëror të asaj kohe dhe filmat që mbartnin karakterin ideologjik të Partisë, ai u mbrojt menjëherë nga goditjet dhe tha: “Po, kemi prodhuar edhe në atë kohë një film mjaft të mirë si ‘Udha e shkronjave’”. Madje, falë Ramiz Alisë, filmi u shfaq në televizion. E them këtë pasi pati mjaft kritika dhe debate mbi mënyrën e zhvillimit të tij. Të them të drejtën, ndonjëherë vlerësimet vijnë edhe në mënyra nga më të çuditshmet. Isha me Gëzim Kamen dhe më thotë: “Ke një nga filmat më të bukur që ka nxjerrë kinemaja shqiptare. A do t’ia marrësh ndonjëherë lekët, sepse atëherë ishe vetëm me rrogë?!...”. Një rast tjetër ishte kur më ndali një fshatar nga qyteza e Korçës. Aty xhirova filmin për Petro Ninin Luarasin. Më pyeti nëse e mbaja mend dhe i thashë se nuk më kujtohej. Pastaj më tregoi se kishim xhiruar në shtëpinë e tij, madje edhe kishim debatuar mbi filmin. Gjithmonë i kujtonte me kënaqësi ato diskutime... Reagime të tjera kam marrë edhe nga jashtë shtetit, duke qenë se filmat tanë shfaqen kudo nëpërmjet platformave dixhitale.
A ju pëlqen që t’i manipuloni paksa fatet e personazheve? E them këtë duke u nisur nga fakti se filmat tuaj kanë brenda tyre drama të mëdha ose funde tragjike.
Është e saktë. Edhe kur filmat e mi nuk kanë funde tragjike, fatet e personazheve janë tragjike. Ju them se së fundi më tërheq edhe fati i personazheve të zakonshëm të ditëve të sotme. Shpresoj që të realizoj së shpejti një komedi me skenar të Pëllumb Kullës. Kjo komedi hap një dritë jeshile për ta parë realitetin në një mënyrë ndryshe si regjisor.
Së fundi, si ndiheni kur rishikoni një film tuajin?
Një regjisor nuk i rikthehet filmit të tij, ose këtë gjë e bën kur për disa arsye ka nevojë. Së pari, kur i kthehesh filmit pas shumë vitesh, ka emocione të tjera dhe këndvështrim tjetër. Të duket sikur nuk je ti që e ke realizuar. Procesi i gropave që krijohen në montazh, apo mënyra se si kalohet nga një skenë në një tjetër, mund edhe të korrigjoheshin në këto filma, por është e famshme ajo fraza që më mirë mos e rregullo një film, pasi mund të të dalë edhe më keq... Fundja, filmi është një gjurmë kohe.
10 Tetor 2009