ELBASAN, policia arreston një shpërndarës heroine
Një shpërndarës heroine dhe drogash të tjera të llojeve të ndryshme është arrestuar nga policia pasi është kapur në kushtet e flagrancës. Burimet policore në Elbasan pohojnë se mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 19.00 “u finalizua me sukses Operacioni i koduar “Gjurma e mushkës”, duke bërë arrestimin në flagrance të shtetasit Ermal Karai, lindur e banues ne lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, i dënuar më parë për veprën penale të “Prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”. Sipas tyre, arrestimi i 23-vjeçarit Karai iu gjetën në cilësinë e provës materiale disa qese të vogla, të cilat mbanin një masë lëndë pluhuri, me ngjyrë kafe, e cila për nga karakteristikat e saj ngjason me atë të heroinës. Po ashtu, iu gjet edhe drogë e llojit Kannabis. Ndaj tij kanë nisur hetimet për prodhim dhe shpërndarje lëndësh narkotike.
TIRANË
Denoncon zhdukjen e bashkëshortes 22-vjeçare
Një 30-vjeçar ka denoncuar zhdukjen e bashkëshortes së tij 22-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, kur shtetasi Arben Duda, lindur në Dibër dhe banues në fshatin Kashar në Tiranë, i dënuar më parë për grabitje dhe armëmbajtje pa leje, ka denoncuar në një nga komisariatet e kryeqytetit zhdukjen e gruas së tij Rrezarta Duda 22-vjeçe. Sipas deklaratës së Dudës, e reja është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. 30-vjeçari ka nisur ta kërkojë bashkëshorten e re te të afërmit por pa rezultat. Ai është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë e cila ka nisur kërkimet për gjetjen e 22-vjeçares. Policia ka shpallur person në kërkim shtetasen Rrezarta Duda dhe ka kërkuar ndihmën e pikave doganore dhe komisariateve të tjera të policisë.
TIRANË
Gjendet e masakruar gruaja, dyshime për bashkëshortin
Një grua është gjetur e plagosur me thikë në banesën e saj në kryeqytet dhe pas mbërritjes së policisë, rezultoi se autor i krimit dyshohet të jetë bashkëshorti i saj. Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 01.00, në banesën ku jetonin çifti Lulëzim dhe Suzana M., përkatësisht 54 dhe 39 vjeç. Ajo ndodhet në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, në lagjen “Kombinat” në kryeqytet.
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut Tiranë thonë se forca policore shkuan në banesën e 39-vjeçares së dëmtuar e cila u dërgua në urgjencën spitalore. E lënduara nuk paraqiste rrezik jete dhe pas mjekimit është rikthyer në banesë, thanë burimet në spital.
Në bazë të hetimeve të para është identifikuar si autor të plagosjes me thikë të 39-vjeçares, ish-bashkëshorti i saj, Lulëzim M., 54 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se ende po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
TIRANË
Futi 36 celularë në qeli, arrestohet 22-vjeçarja
TIRANE – Një vajzë 22-vjeçare është paraqitur tek gardiani për të takuar të fejuarin në burg, duke tentuar që të fusë 36 aparate celulare brenda në një frigoriferi të vogël. Ajo nuk ka arritur që të kalojë filtrat e kontrollit dhe më pas është prangosur në kushtet e flagrancës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se strukturat e hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, kryen arrestimin e shtetases Fabiola Musai, lindur e banuese në Durrës. Sipas tyre, “kjo shtetase dyshohet se ditën e sotme, ka hyrë në ambientet e Institucionit të Burgut Nr. 313, me synim për të takuar të fejuarin e saj, me 36 copë telefona celular të cilat ishin të vendosura në një frigorifer. Shtetasi Klodian Meraja, tashmë i arrestuar për veprën penale të vjedhjes vuante dënimin prej 5 vjetësh burgim, pranë vendit të vuajtjes së dënimit Nr. 313 në Tiranë.
DURRËS
Kryefamiljari qëllon me plumb në kokë veten e tij
Kryefamiljari 37-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës, duke qëlluar me armë zjarri në kokë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dje në mëngjes, rreth orës 10.55 është vetëplagosur me armë zjarri (pistoletë me mulli) shtetasi Gentian Koçi, banues në lagjen Nr. 17(jetonte në një shtëpi me qira) i martuar, me një fëmijë. Sipas tyre, “ngjarja ka ndodhur në banesën e tij”. “Nga veprimet e para rezulton se shtetasi Gentian Koci është vetëplagosur në kokë me një plumb”, - thotë zëdhënësja e policisë së qarkut. Ajo shton se i lënduari ndodhet në spitalin rajonal të qytetit, ku po i nënshtrohet një operacioni. Mjekët konfirmojnë se gjendja e tij është e rëndë.
Policia thotë se po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur, të cilat do të njoftohen më vonë
10 Tetor 2009