Vdekshmëria e 15 mijë Shqiptarëve, sëmundjet që i çojnë drejt humbjes së jetës
Emanuela Sako
Përveç shkaqeve natyrore, vdekshmëria e shqiptarëve është rritur së tepërmi për shkak të disa sëmundje që dominojnë në vendin tonë. Rreth 15 mijë shqiptarë në vit humbasin jetën si pasojë e sëmundjeve që ata vuajnë. Sipas të dhënave të specialistëve përkatës, për çdo sektor të shëndetësisë është dhënë dhe rezultati se cilat janë sëmundjet që çojnë më tepër në humbjen e jetës. Sipas specialistëve, më shumë se gjysma e vdekjeve të shqiptarëve, çdo vit, kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Mbi 7 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset dhe që ka një vdekshmëri mbi 2 mijë persona në vit. Duke iu referuar të dhënave të specialistëve të onkologjikut, 2500 persona humbasin jetën çdo vit nga sëmundjet kanceroze. Ndërkohë që një vend të veçantë zë dhe sëmundja e diabetit, e cila prek rreth 35 për qind të shqiptarëve dhe vdesin rreth 1000 mijë shqiptarë. Nga ana tjetër, rreth 150 persona humbasin jetën nga sëmundja e veshkave. Duhet pasur parasysh që këta persona mund të kenë vite që vuajnë nga sëmundjet, apo mund të vuajnë edhe nga sëmundje të tjera.
Sëmundjet
Sëmundjet kronike zënë vendin e parë të sëmundshmërisë së popullsisë në të gjithë vendin. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se vitet e fundit sëmundjet kronike kanë zënë një vend të favorshëm në popullsinë e vendit tonë. Vendin e parë ndër sëmundjet kronike, janë sëmundjet kardiovaskulare, ku një në dy persona vuajnë nga këto sëmundje. Specialistët e Shëndetit Publik shprehen se sëmundjet kardio-vaskulare, kanceret e të tjera si këto kanë marrë mjaft jetë njerëzish në vendin tonë. Sipas tyre shtimi i këtyre sëmundjeve vjen si pasojë e rritjes së jetëgjatësisë së popullatës. Faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillim e një pjese të madhe të sëmundjeve janë konsumimi i alkoolit, duhanit, ndryshimi i stilit të jetesës, mbipesha, shtimi i ushqyerjes me mish, faktorët ambientale si ndotja e ambientit nga tymi i makinave, përdorimi i kimikateve në bujqësi, industri, ndërtim, ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultraviolet et
Prekja
Prekja nga sëmundjet vjen nga faktorë të ndryshëm. Një ndër faktorët më të rëndësishëm që shpeshherë specialistët kanë vënë në qendër të vëmendjes është ndryshimi i stilit të jetesës. Kjo do të thotë një mënyrë ushqyerje ndryshe, cilësia e ushqimit, stresi etj. Rritja e papunësisë dhe shtimi i stresit të përditshëm, çon në reagimin e organizmit, i cili është predispozuar për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme. Ushqyerja është një faktor tjetër që ndikon në reagimin normal të organizmit. Qytetarët duhet të kryejnë një jetë aktive në lëvizje dhe të ushqehen më tepër me produkte bimore, të cilat shtojnë jetëgjatësinë. Përveç faktorëve të jashtëm që ndikojnë në shtimin e vdekshmërisë, nuk përjashtohet edhe trashëgimia, e cila është faktor kryesor në zhvillimin e disa sëmundjeve.
Tumoret, rreth 4 mijë raste të reja në vit
Rreth 4 mijë persona preken çdo vit nga tumoret, çka shënon një shifër të lartë për numër popullsie. Format më të shpeshta të shfaqjes së tumoreve janë, kanceri i mushkërive ( te meshkujt), kanceri i gjirit ( te femrat) dhe kanceri i zorrës së trashë, preken si meshkujt edhe femrat. Tumoret prekin një numër të madh personash, ku rreth 2500 veta vdesin çdo vit.
Sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë për vdekshmërinë
Sëmundjet kronike zënë vendin e parë të sëmundshmërisë së popullsisë në të gjithë vendin. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se vitet e fundit sëmundjet kronike kanë zënë një vend të favorshëm në popullsinë e vendit tonë. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Rreth gjysma e vdekjeve të shqiptarëve çdo vit kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga kjo sëmundje.
Diabeti, 30 mijë persona vuajnë nga kjo sëmundje
Numri i të prekurve nga diabeti është pesëfishuar në 3 dekadat e fundit. Specialistët raportojnë se numri vjen duke u rritur, madje me një përfshirje më të gjerë, ku bëjnë pjesë dhe fëmijët e vegjël. Janë rreth 1 mijë fëmijë që kanë rezultuar diabetikë, të cilët rrezikojnë jetën. Nga diabeti humbasin jetën çdo vit rreth 1 mijë persona në të gjithë vendin. Specialistët renditën si një ndër shkaktarët kryesorë mënyrën e jetesës dhe mungesën e jetës aktive. Aktualisht në vendin tonë rezultojnë se janë rreth 30 mijë persona që vuajnë nga sëmundja e diabetit, ku përfshihen të dyja tipat e kësaj sëmundjeje. Mjekët këshillojnë që personat mbi moshën 40 vjeç të kryejnë analizat e diabetit një herë në tre vjet, ose një herë në vit. Nëse sëmundja kurohet që në fazat e para, atëherë mundësitë janë më të shumta për ta parandaluar. Diabeti shfaqet në dy forma, në formën e atyre që nuk kanë insulinë, pra nuk u prodhon pankreasi insulinë, tipi 1, dhe rritja e sheqerit i çon në komplikime. Dhe diabeti tip 2, i cili shfaqet kryesisht tek të rriturit në moshat mbi 40 vjeç, që janë mbi peshë.
Sëmundja e veshkave
Specialistët e Nefrologjisë kanë raportuar për një shtim të personave të prekur nga sëmundja e veshkave, ku regjistrohen rreth 450 raste të reja në vit. Ndërkohë që rreth 150 persona humbasin jetën çdo vit nga sëmundja e veshkave. Specialistët shprehen se sëmundja kronike e veshkave karakterizohet nga humbja graduale e funksionit të veshkave që vjen duke u përkeqësuar nga grada e parë deri në të pestën, që është dhe shkalla më e rrezikshme. Në stadin e pestë pacientët kanë nevojë për procedurat e dializës ku funksionin e veshkave e zëvendësojnë aparaturat përkatëse, ose për transplantim të veshkave. Një nga komplikacionet më të shpeshta të sëmundjes kronike të veshkave është anemia. Specialistët sqarojnë se ekziston një lidhje e ngushtë midis prevalencës së anemisë dhe agresivitetit të sëmundjes. Studime të ndryshme paraqesin faktin që anemia është e pranishme në pjesën dërrmuese të pacientëve në stadin e pestë. Prezenca e vazhdueshme e anemisë te këta pacientë shkakton lodhje dhe këputje. Anemia kontribuon në zhvillimin e sëmundjeve progresive kardiovaskulare, që sjell një rritje të shtrimeve për pacientët me sëmundje kronike të veshkave, e cila reflektohet në shtimin e kostove të trajtimit, si dhe rritje të vdekshmërisë. Në vendin tonë me një popullsi prej më shumë se 3 milionë banorësh, incidenca e pacientëve që kërkojnë këtë trajtim, është mesatarisht 50 raste në vit.
Vdekshmëria brenda një viti
Sëmundjet kardiovaskulare 8 mijë persona humbasin jetën
Sëmundjet e hipertensionit 2 mijë persona humbasin jetën
Sëmundjet kanceroze 2500 persona humbasin jetën
Sëmundja e diabetit 1 mijë persona humbasin jetën
Sëmundja e veshkave 150 persona humbasin jetën
10 Tetor 2009