Hipoteka, procedurat që ndiqen kur fiton të drejtën e pronës me vendim gjykate
Laureta Rryçi
Pronarët që kanë mundur të fitojnë pronën e tyre falë një vendimi të formës së prerë duhet të ndjekin disa procedura për të kryer regjistrimin në Hipotekë. Gazeta “Albania”, në numrin e sotëm, sjell dokumentet që duhet të dorëzojnë ata për të marrë aktin e pronësisë, si dhe rregullat që do t’u duhet të ndjekin për të realizuar një proces të rregullt. Sipas specialistëve pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për regjistrimet e vendimit të gjykatës për fitim pronësie duhen 30 ditë. Qytetari që ka fituar procesin civil në të tria shkallët e Gjyqësorit duhet të dorëzojë vendimin e formës së prerë dhe plan-rilevimin që jep të dhëna për pronën në fjalë. Dokumenti i parë merret në gjykatë, ndërsa i dyti duhet të firmoset nga një topograf me licencë. Të njëjtat burime shpjegojnë se gjatë viteve të fundit, një pjesë e konsiderueshme e pronarëve, për të marrë aktin e pronësisë më parë iu është dashur t’i drejtohen gjykatës. Këtë fakt e tregon më së miri edhe shifra e lartë e dosjeve që gjykohen në një vit në gjykatat e vendit.
Regjistrimi
Pasuritë e paluajtshme, të kthyera ose të kompensuara fizikisht, që janë përfituar nga ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, regjistrohen në bazë të vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, plan-vendosjes, dëshmisë së trashëgimisë në rastet kur prona i është kthyer trashëgimlënësit, si dhe procesverbalin e marrjes në dorëzim të pronës (dorëzimi i ndërtesës ose piketimi i truallit) veçanërisht në rastet kur nuk është i mundur të bëhet identifikimi në HTR. Ndërsa për pasuritë e kthyera ose të kompensuar fizikisht në bazë të ligjit “Për kompensimin në vlerë ose me troje ish-pronarëve të tokave bujqësore, livadheve, kullotave, tokave pyjore dhe pyjeve, duhet vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, plan-vendosja, dëshmia e trashëgimisë në rastin kur prona u është kthyer trashëgimtarëve, si dhe proces verbali i dorëzimit të mbajtur mes Drejtorisë së Shërbimit Pyjor dhe pronarit që i është kthyer prona. Pasuritë e paluajtshme, të njohura në bazë të dekretit të Presidentit të Republikës “Për faljen e studiove të punës piktorëve dhe skulptorëve” regjistrohen me paraqitjen e aktit të dhurimit nga Komisioni i Përbashkët i Bashkisë dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, plan-vendosja, si dhe dokumenti për marrëdhëniet me truallin.
Procesi
Vitet e fundit, dhjetëra padi në Gjykatë kanë si palë në proceset civile persona që kërkojnë të rifitojnë të drejtën e pronës dhe, nga ana tjetër, përfaqësues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Institucioni i ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave gjatë këtyre viteve ka rrëzuar dhjetëra kërkesa të qytetarëve për t’u njohur si pronarë mbi sipërfaqe të caktuara toke. Mirëpo këto vendime, pas ankimimit në gjykatë, janë shfuqizuar thuajse tërësisht. Në këtë mënyrë duket se qytetarët kanë gjetur rrugën e duhur ligjore për të mos humbur betejën për të rifituar titullin “pronar i ligjshëm”. Por, kjo përplasje shkon deri në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kryeregjistruesi, në këto raste, është i detyruar të pezullojë përkohësisht regjistrimin e pronës së paluajtshme derisa të bëhet ballafaqimi i vendimeve mes AKKP-së dhe gjykatës. Gjithsesi, sipas legjislacionit në fuqi, vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet shtetërore, në këtë rast nga zyrat e regjistrimit. Statistikat tregojnë se AKKP-ja ka pasur konflikte gjyqësore po prej vendimeve të saj edhe me institucione të pushtetit vendor. Këto të fundit kanë ngritur pretendimin se po jepen sipërfaqe që nga AKKP-ja janë cilësuar si të lira, por në të vërtetë janë në juridiksionin e tyre. Në këto raste, sërish gjykata ka dhënë verdiktin e saj duke shfuqizuar vendimin e AKKP-së. Sipas legjislacionit, kur qytetarët nuk janë dakord me vendimin e AKKP-së qendrore, kanë të drejtë të bëjnë ankimim vetëm pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Ky ankimim cilësohet i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të AKKP-së. Pikërisht këtë përcaktim ligjor kanë shfrytëzuar 1 mijë qytetarët që i janë drejtuar gjykatës. Burime pranë kësaj gjykate shpjegojnë se padi me objekt shfuqizimin e vendimit të AKKP-së depozitohen thuajse çdo ditë. Sipas të dhënave zyrtare pranë kësaj gjykate, procese të tilla civile zgjasin 460 ditë vetëm në shkallën e parë. Më pas, vendimi, që të marrë formën e prerë, duhet të kalojë të gjitha shkallët e Gjyqësorit, që me një kalkulim të përafërt duhen rreth tre vjet.
Regjistrim vendimi gjykate për fitim pronësie
Tarifa: 1500 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Gjoba ditë/vonese: 150 lekë
Afati ligjor për paraqitje në ZVRPP: 30 ditë
Afati max. i procedurës: 30 ditë pune
Lista e plotë e dokumenteve që nevojiten për veprime në ZVPP
Kodi Emri i dokumentit Institucioni lëshues
Vendim gjyqësor GJ1 Vendim gjykate ose marrëveshje noteriale për krijim servituti Gjykata
GJ2 Vendim gjykate ose marrëveshje për heqje servituti Gjykata
GJ3 Vendim gjykate për caktimin e kujdestarit të miturve anëtarë të familjes bujqësore Gjykata
GJ4 Vendim gjykate për fshirje Gjykata
GJ5 Vendim gjykate për regjistrimin e personit juridik Gjykata
GJ6 Vendim gjyqësor ose akt noterial për vendosjen e hipotekimit Gjykata
GJ7 Vendim gjyqësor për kalimin e pronës së paluajtshme në pronësi të fituesit të ankandit Gjykata
GJ8 Vendim gjyqësor përfundimtar i formës së prerë Gjykata
GJ9 Vendim gjyqësor të shkallës së parë ose vërtetim me shkrim nga organi që ka bërë gabimin në dokumentin përkatës Gjykata
GJ10 Vendim i Gjykatës për regjistrimin e personit juridik Gjykata
GJ11 Vendimi i këshillit të komunës Gjykata
GJ12 Vendimi gjyqësor për vënie sekuestro ose i ndërmjetëm Gjykata
GJ13 Vendim gjyqësor për heqje dore nga trashëgimia Gjykata
GJ14 Vendim gjyqësor për ndërrim emri Gjykata
GJ15 Vendim gjyqësor për çelje trashëgimie Gjykata
10 Tetor 2009