Garë me veten, jo me Berishën
Opozita do të zbresë sot në shesh për herë të parë, tre muaj pasi ka humbur zgjedhjet e diskutueshme të 28 qershorit. Partitë e koalicionit të majtë, të drejtuar nga PS-ja, do të jenë të gjitha në podiumin e protestës për të kërkuar atë që tashmë duket kauza kryesore e pakicës – hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e një pjese të kontestuar të rezultatit. Ka kërshëri të ligjshme për të parë se cila do të jetë përgjigjja e opinionit publik, e zgjedhësve të majtë, por jo vetëm e tyre, në këtë takim të parë masiv të politikës me masën e madhe të njerëzve që gjatë gjithë verës janë ndodhur nën procesin e lodhshëm të përmbylljes së zgjedhjeve, debatit të brendshëm në PS dhe bojkotin parlamentar të 65 deputetëve të majtë. Ky kuriozitet tenton të kthehet edhe në një farë ankthi të kuptueshëm për Ramën dhe përkrahësit e tij, të cilët e kaluan provimin e votës brenda partisë në zgjedhjet për kryetarin e ri, e tani po kërkojnë të prekin me dorë se cila do të jetë përkrahja reale e shqiptarëve ndaj kësaj beteje që parashihet e vështirë dhe e gjatë.
Shqipëria e sotme është një vend i lodhur. Sidomos nga politika dhe politikanët që tjetër fytyrë shfaqin gjatë fushatave, e tjetër realitet zhgënjyes ofrojnë kur mbarojnë zgjedhjet. Një provë të prekshme të këtij procesi iluziv e të pavërtetë e ofron sot Ilir Meta dhe partia e tij, pas kthesës së shëmtuar që bënë në harkun e pak orëve pas 28 qershorit. Këto lloj akrobacish e hilesh, kjo hipokrizi e hapur dhe e pafytyrë, kjo mosmbajtje ekstreme e fjalës dhe angazhimit publik, e kanë bjerrë vetë imazhin e politikës te qytetari.
Nëse ky problem etik, moral e parimor do të zhvendosej në kampin e opozitës së pas 28 qershorit, do të mund të thuhej se Edi Rama ka të njëjtin problem, por në raporte të tjera. Kreu i rizgjedhur i PS-së do të takojë sot për herë të parë pas votimeve, njerëzit të cilëve u tha gjatë fushatës se duhet të shkonin të votonin të qetë, pasi vota e tyre ishte e sigurt; që u premtoi se më 19 qershor Sali Berisha do të ketë dalë në pension dhe se pushteti i PD-së ishte i marrë fund njëherë e mirë. Kjo tiradë premtimesh të pambajtura është frika e vërtetë e socialistëve përballë atyre që sot do të thirren në shesh për të protestuar.
E megjithatë, opozita duhet të kalojë nëpër këtë përballje të pakëndshme me të shkuarën e saj të afërt. Kauza e bojkotit që ajo ka kapur fillimisht me ndrojtje e tani më me forcë, kërkon forcë, vullnet dhe bindjen se beteja të tilla publike dalin me sukses vetëm kur i sheh në sy, pa frikë dhe pa mëdyshje. Bojkoti ka sot një bazë shumë solide. Ai qëndron mbi kërkesën tejet normale dhe të arsyeshme për bërjen e transparencës së plotë dhe të paanshme mbi zgjedhjet. Në këtë pikë, opozita ndodhet një shkallë më lart se pozita, e cila, nga ana e saj, po tregon shenja acarimi dhe mungesë qetësie kur deklaron se mund të fillojë djegien e fletëve të votimit.
Nga ana tjetër, vetë kauza e bojkotit ka nevojë për disa elemente shtesë. Pretendimi i opozitës për vjedhjen e votave ka pasur deri sot dy defekte bazë: ai ka qenë i paprovuar prej saj (fjala është për PS-në në këtë rast) me fakte konkrete të dala nga materiali zgjedhor, si dhe i pashoqëruar me protesta publike. Të dyja këto elemente të munguara kanë bërë që kundërshtimi i socialistëve të shihet nga të huajt dhe opinioni publik më shumë si një lojë pallati, sesa si një temë e madhe kombëtare. Në Moldavi dhe Armeni protestat e zgjedhjeve bënë që proceset elektorale në këto vende të zënë faqet e para në mediat ndërkombëtare. Nëse për zgjedhjet shqiptare reagimi i vetëm janë deklaratat pesëminutëshe në derën e PS-së apo të partive të tjera opozitare, vështirë se faktori ndërkombëtar, arbitri kryesor i zgjedhjeve dhe përgjithësisht i zhvillimeve demokratike në Shqipëri, të vihet disi në lëvizje.
Për pasojë, sot opozita e majtë ndodhet përballë vetes, përballë fatit të saj të ardhshëm, më shumë sesa përballë Sali Berishës dhe Ilir Metës. Edi Rama ka shansin që të nisë të na provojë që nga dita e sotme se opozita e tij e re e pas 28 qershorit nuk do të jetë një mëdyshje e pafund mes gandizmit alla shqiptar dhe gueriljes, një gërshetim i panatyrshëm dhe i rrejshëm mes kërcënimeve ekstreme dhe qëndrimit statik, por një platformë e qartë se nga duhet të shkojë opozita për muajt dhe vitet që vijnë. Protesta e sotme mund të jetë edhe fillim, edhe fund njëherësh. Mund të jetë fillimi i një procesi delegjitimimi gradual për qeverisjen e pas 28 qershorit, falë reaksionit zinxhir që do të krijojë nëpër Shqipëri protesta e opozitarëve të zemëruar. Por mund të jetë edhe fundi, ende pa nisur, i një ëndrre të stisur keq, për ta parë Berishën të rrëzuar për shkak të vjedhjes së votave. Opozita luan shumë në betejën e sotme me sheshin. Djalli është më pak i zi sesa duket, çështja është të bindësh veten. Më shumë se sa të garosh me Berishën!
Skënder Minxhozi
10 Tetor 2009