Biznesi i vogël, dokumentet që duhet të kenë subjektet për taksat vendore
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës përcakton afatet për biznesin e vogël për shlyerjen e taksave vendore. Bashkë me afatet specialistët e Bashkisë shpjegojnë edhe procedurat që ndiqen në të tilla raste nga këto subjekte. Sipas tyre, subjektet e biznesit të vogël duhet t’u nënshtrohen disa detyrimeve ligjore për të ushtruar aktivitetin. Subjektet me qarkullim vjetor 2 – 8 milion lekë, në bazë të ligjit për “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, për çdo vendndodhje të veprimtarisë, taksapaguesi duhet të mbajë një seri regjistrimesh më vete dhe dokumentacionin që lidhet me atë vendndodhje biznesi. Ata duhet të jenë të pajisur me dokumentet e shitjes (fatura e thjeshtë tatimore, dëftesa tatimore dhe përmbledhëset ditore të arkës regjistruese për shitjet me arkë), librin e blerjeve, librin e shitjeve, librin e inventarit (gjendja e mallrave në fund të vitit), librin e shpenzimeve dhe të ardhurave, si dhe librin e aktiviteteve të biznesit.
Afatet
Bashkia e Tiranës bën të ditur se afatet për shlyerjen e detyrimeve është 20 prilli për pagesën e këstit të parë, 30 qershori për pagesën e këstit të dytë dhe 20 tetori për këstin e tretë. Ndaj atyre që nuk tregojnë korrektësi në datat e caktuara merren masa penalizuese nga Bashkia e Tiranës. Bashkia ka detajuar mënyrën e shlyerjes së detyrimeve vendore dhe ka njohur qytetarët për mënyrat e procedimit në disa raste. Kështu, Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore bëjnë të ditur se në rast të mosmarrjes së detyrimit tatimor për shkak të mungesës së adresës ose adresës së gabuar, qytetarët janë të detyruar të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave. Për të shtyrë bizneset të paguajnë në kohën e caktuar, Bashkia ka vendosur përfitime për ata që zbatojnë datat. Në rast se taksat paguhen brenda afatit të caktuar, biznesi përfiton 10% ulje të detyrimit fiskal. Në rast të kundërt gjobitet me vlerën 25% të vlerës së taksës.
Tatimpaguesi
Tatimpaguesi duhet të lëshojë për çdo shitje kuponin tatimor, në rastin kur tatimpaguesi është i pajisur me arkë regjistruese. Ky kupon i jepet klientit për çdo shitje të kryer. Mund të jepet dëftesë tatimore, në rastin kur tatimpaguesi nuk është pajisur me
arkë regjistruese ose kur për arsye objektive, si mungesa e elektricitetit etj, tatimpaguesi nuk mund të përdorë arkën regjistruese. Fatura e thjeshtë tatimore lëshohet vetëm nga tatimpaguesit, të cilët shesin mallra apo shërbime për klientë, të cilët nuk janë konsumatorë finalë të mallit apo shërbimit, por i kryejnë këto blerje për qëllim përpunimi apo rishitje dhe janë subjekte të regjistruar për tatimet.
box
Subjektet me qarkullim vjetor 2 – 8 milion lekë
“Për Tatimin mbi të Ardhurat” për çdo vendndodhje të
veprimtarisë, taksapaguesi duhet të mbajë një seri regjistrimesh më vete dhe dokumentacionin që lidhet me atë vendndodhje biznesi.
Dokumentet e blerjes (fatura tatimore me TVSH, fatura e thjeshtë
tatimore, dëftesa tatimore)
Dokumentet e shitjes (fatura e thjeshtë tatimore, dëftesa tatimore dhe përmbledhëset ditore të arkës regjistruese për shitjet me arkë)
Librin e blerjeve
Librin e shitjeve
Librin e inventarit (gjendja e mallrave në fund të vitit)
Librin e shpenzimeve dhe të ardhurave
Librin e aktiviteteve të biznesit
Subjektet me qarkullim vjetor 0 – 2 milion lekë
Në zbatim të Ligjit nr. 9632 datë 30.10.2006 “Për Sistemin e
Taksave Vendore” me ndryshimet përkatëse dhe Udhëzimit
655/1 dt. 6.2.2007 në zbatim të tij, për çdo vendndodhje të
veprimtarisë, tatimpaguesi duhet të mbajë një seri regjistrimesh më vete dhe dokumentacionin që lidhet me atë vendndodhje biznesi
dhe pikërisht:
Dokumentet e blerjes (fatura me TVSH, fatura të thjeshta,
dëftesa tatimore)
Dokumentet e shitjes (fatura të thjeshta tatimore, dëftesa
tatimore dhe përmbledhëset ditore të arkës regjistruese për shitjet me arkë)
Librin e blerjeve
Librin e shitjeve
10 Tetor 2009