E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaji kancerogjen, doganat kontroll të gjitha produkteve nga Greqia

Dy firma greke kanë futur në Shqipëri 43 tonë vaj të kontaminuar. Administrata doganore po verifikon dokumentet dhe firmat importuese

Ervin Koçi

Të gjitha importet e vajit, të hyra nga Greqia në drejtim të Shqipërisë gjatë vitit 2008, do të jenë objekt i verifikimeve dhe kontrolleve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Kreu i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, ka deklaruar për mediat se po verifikohen të gjitha importet e vajit nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për vitin 2008.
Dervishi u shpreh se “objekt i kontrollit nuk do të jenë vetëm pikat doganore, por edhe doganat e brendshme, siç është ajo e Tiranës”. Sipas kreut të Doganave, Përparim Dervishi, ka angazhim nga të gjitha institucionet përgjegjëse si Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Prokuroria, për kontrollin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ndërkohë, edhe inspektorët ushqimorë, sipas burimeve zyrtare të MBUMK-ja, që nga dita e premte nisën verifikimin dhe kontrollet për sigurinë e të gjitha importeve të vajit që kanë hyrë në tregun vendas muajt e fundit. Autoritetet greke bllokuan në Selanik dy ditë më parë një sasi vaji të importuar nga Ukraina, që dyshohet të jetë i papërdorshëm. Sasia e vajit të bllokuar nga Sektori i Kontrollit Ushqimor (EFET) pranë Ministrisë greke të Zhvillimit, kishte përmbajtje të lartë të lëndës së dioksinës. Ai ishte importuar nga Ukraina dhe kishte destinacion vendet e Europës Juglindore, veçanërisht Shqipërinë dhe Greqinë.

Kontrollet në Greqi

Skandali i vajit të lulediellit të përzier me vaj lubrifikant në Greqi vazhdon të thellohet më tej. Skandali ka shkaktuar edhe ndërhyrjen e drejtësisë në shtetin fqinj, e cila ka hapur një proces të hollësishëm hetimi. Deri tani mësohet se janë sekuestruar të gjitha dokumentet dhe fletët e analizave që shoqërojnë ngarkesën e këtij vaji, deri në zbardhjen e çështjes. Gjithashtu, dje organi i kontrollit të ushqimit, “EFET”, ka publikuar edhe listën e kompanive tregtare si dhe sasinë e vajit që ato kanë marrë për të hedhur në treg. Nga këto informacione mësohet se midis tyre janë dy ngarkesa, të cilat kanë kaluar drejt tregjeve shqiptare. Në komunikatën e autoriteteve greke bëhet fjalë për një ngarkesë të nisur drejt Shqipërisë prej firmës “Manos A.E” me 25.4 tonë vaj dhe një ngarkesë prej 17.4 tonë vaj të firmës “Elempho SA”.

Vaji edhe në patatina

Përveç frikës nga vaji i kontaminuar me substanca kancerogjene, ajo që ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik grek, por që duhet të shqetësojë dhe atë shqiptar, është fakti se vaji i rrezikshëm është përdorur edhe në përgatitjen e patatinave apo të konservave të peshkut, të cilat janë ende në qarkullim. Sipas disa mediave greke, lajmi se ka pasur dy ngarkesa drejt Shqipërisë është konfirmuar edhe nga doganat greke pas verifikimit të certifikatave të mallit, madje shtohet se këto ngarkesa janë kryer para dy ditësh, domethënë disa orë pas plasjes së skandalit dhe pas bërjes publike të tij. Akoma nuk dihet se sa ton të tjerë vaji të rrezikshëm kanë kaluar drejt Shqipërisë, pasi janë transportuar me bote të mëdha dhe jo me shishe të ambalazhuara me emrin e firmave greke. Organet doganore greke po shqyrtojnë tri ngarkesa që kanë mbërritur me vaj prej Rumanisë dhe Ukrainës, duke dyshuar se mos bëhet fjalë përsëri për vaj të përzierë me vajin lubrifikant.

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›