E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtohen nga Policia pesë oficerë të Rinasit

TIRANE Përjashtohen përfundimisht nga Policia pesë oficerët e Komisariatit të Rinasit, të cilët ishin pezulluar nga detyra në muajin prill. Ata dyshoheshin se kishin kryer favore për lejimin e kalimin e paligjshëm të kufirit për të paktën 11 shtetas nga Kosova. Me këtë akuzë, ata janë përjashtuar përfundimisht nga Policia e Shtetit. Vendimi është marrë dje nga Komisioni i Apelimit të masave disiplinore, ku pesë oficerët ishin drejtuar me pretendimin se vendimi i marrë ndaj tyre ishte i padrejtë. Kryekontrollori i aeroportit Nënë Tereza dhe katër kontrollorë ishin pezulluar nga Policia e Shtetit në muajin prill të këtij viti, ndërsa 9 oficerë të tjerë policie u ulën në gradë për shkak se kishin toleruar kalimin e kufirit për shtetas që kanë pasur mangësi në dokumente. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë dje se 5 oficerët për të cilët ishte marrë masë disiplinore ishin pezulluar në muajin shkurt të këtij viti, pas hetimeve të rastit të 4 shtetasve kosovarë që kaluan me dokumente jo të rregullta në Itali dhe u kthyen mbrapsht nga pala italiane. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm që kishte nisur hetimet, i referoi materialet në Prokurori, pasi ka zbuluar të paktën 11 raste që shtetasit kosovarë janë prapësuar në aeroportin Nënë Tereza nga vendet e hapësirës Shengen. Ndërsa mesditën e djeshme, Komisioni i Apelimit të masave ka marrë vendimin e përjashtimit nga Policia për kryekontrollorin Munir Shira dhe kontrollorët Bekim Lika, Edison Ahmetaj, Alkida Shima e Nirda Lushi, të cilët kanë qenë përgjegjës turni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›