Çifti misterioz gjen vdekjen në makinë, u asfiksuan
Policia e Tiranës gjen dy të vdekur në një mjet pranë tregut të ish-Uzinës Dinamo
TIRANË - Një burrë dhe një grua, të zhveshur, janë gjetur të pajetë, mëngjesin e djeshëm në një makinë të parkuar në një garazh afër magazinave të ish-Uzinës Dinamo. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se viktimat janë shtetasit Luan Veizi dhe D. Sinjari, 38 vjeçe. Sipas policisë, mësohet se shkak i vdekjes së tyre ka qenë asfiksimi nga gazrat e makinës, për shkak të qëndrimit të gjatë brenda në garazh. Kjo pistë mbështetet nga fakti se gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta dhe dy personat mund të kenë qëndruar gjatë gjithë kohës me kondicionerin e mjetit ndezur, i cili ka shkaktuar asfiksinë e tyre. Por, ekspertët nuk përjashtojnë edhe pista të tjera, për shkak të raporteve që mund të kenë pasur viktimat me njëri-tjetrin.
Ngjarja
Sipas të dhënave paraprake mësohet se çifti prej disa orësh ka qëndruar në ambientet e garazhit. Duke qenë ftohte, ata kanë ndezur kondicionerin e makinës. Sipas versionit paraprak, mësohet se ky ka qenë dhe shkaku i vdekjes së tyre. Nga gazrat e lëshuara nga kondicioneri dhe nga ambienti i mbyllur në garazh, çifti është asfiksuar dhe ka gjetur vdekjen. Vdekja e çifti mund të ketë ndodhur nga asfiksia rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Në trupat e viktimave nuk janë gjetur asnjë shenjë dhune. Automjeti, tip “Audi”, me targa të huaja, S 203 K 3, është dërguar për kontroll autoteknik. Do të vërtetohet nëse përveç gazrave që lëshon kondicioneri i makinës, në kabinë të mund të kenë hyrë dhe gazrat e impiantit me të cilën punon automjeti. Pikërisht këto gazra mund të kenë shkaktuar dhe vdekjen nga asfiksia të burrit dhe gruas të cilët u gjendën në sedijen e pasme të makinës. Viktimat janë dërguar në morgun Tiranës për të bërë autopsinë, e cila do të përcaktojë saktë dhe shkakun e vdekjes.
Identifikimi
Kanë qenë rojet e ish-magazinave, ata që kanë konstatuar të parët viktimat brenda makinës dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Nga verifikimet e para, policia deklaroi se viktimat mund të ishin rreth moshës 50 vjeçare. Grupi i ekspertëve hetimorë ka mundur të bëjë identifikimin e viktimës mashkull nëpërmjet patentës. Ai është Luan Veizi, 58 vjeçar banor pranë ish-Uzinës Dinamo në Tiranë. Vetëm në mesditë policia ka arritur të identifikojë gruan e gjetur të vdekur në makinë. Ajo është D. Sinjari, 38 vjeçe nga Tirana. Forcat blu thonë se identifikimi i saj është bërë i mundur nga familjarët në morgun e spitalit.
Mjekësia ligjore
Ekspertët mjeko-ligjorë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë konfirmojnë paraprakisht se çifti i gjetur i vdekur brenda një makine mëngjesin e djeshëm ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë. Pasi kanë kryer kontrollet e para në trupat pa jetë të dy viktimave, ekspertët kanë pohuar se nuk ka pasur shenja dhune dhe se pista më e mundshme e vdekjes së tyre mund të jetë ajo e asfiksisë brenda automjetit. Ndërkaq, policia ka nisur menjëherë nisjen e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të ngjarjes, i pari prej të cilëve mësohet të jetë roja i ish-Uzinës “Dinamo”, ai i cili edhe ka konstatuar makinën me dy viktimat brenda tij. Por po pyeten edhe njerëz që banojnë afër garazhit të makinës, për të marrë vesh nëse kanë parë apo dëgjuar ndonjë gjë të dyshimtë gjatë natës. Por, nuk përjashtohen edhe pista të tjera në hetimin e shkaqeve që çuan në vdekjen misterioze të Luan Veizit dhe D. Sinjari.
27 Janar 2010