Falsifikimi i pronës çon në pranga ndërtuesin
VLORË - Bie në prangat e policisë së Vlorës për falsifikim të pronësisë një tregtar ndërtues po nga ky qytet. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi “Qemal Lamçe është arrestuar mbrëmë, pasi akuzohet se ka tjetërsuar pronësinë e tokës së një personi tjetër me qëllim shfrytëzimin e truallit për ndërtimin e një pallati. Arrestimi i tij është kryer gjatë operacionit të koduar “Pronësia e Rreme”. Në bazë të hetimeve rezultoi që trualli i përkiste familjes Begotare, dy prej anëtarëve të së cilës humbën jetën në tragjedinë e Otrantos. Burime nga policia bëjnë të ditur se trualli i tjetërsuar nga Qemal Lamçe, ishte në pronësi të Sali Begotares, i cili kishte vdekur pak vite pas tragjedisë së Otrantos, ku humbi gruan dhe djalin e tij. Ndërtuesi 48-vjeçar, tashmë, do të përballet me akuzën e falsifikimit të dokumenteve të pronësinë dhe tjetërsimit të truallit.
27 Janar 2010