Bashkia e Durrësit, kundër vendit për peshkim, është zonë për jahte
Vangjush Dako jep tri shkaqet e refuzimit: mjedisi, trafiku dhe turizmi
DURRËS – Megjithëse ekziston një master-plan për zhvillimin e Durrësit, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, si dhe po përgatitet plani urbanistik i qytetit bregdetar nga një studio e huaj, Ministria e Mjedisit i ka shpërfillur të gjitha, duke kërkuar ngritjen e portit të peshkimit në mes të shëtitores së njohur me emrin “Taulantia”. Pas akuzave të njëpasnjëshme të qeverisë, dje ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, i cili e ka konsideruar ndërtimin e këtij objekti në shkelje të rëndë të të gjitha planeve dhe të perspektivës së qytetit. Ai u shpreh se ndërtimi i portit të peshkimit pranë shëtitores shkatërron perspektivën e zhvillimit të turizmit në qytetin e Durrësit. Të gjitha planet e deritanishme janë që të ndërtohet një port jahtesh. Dako shtoi se nëse qeveria nuk pranon të respektohen planet lokale të zhvillimit të zonës, zgjidhja më e mirë do të ishte një referendum në këtë qytet, në mënyrë që qytetarët të zgjedhin nëse duan që të ketë në atë zonë port peshkimi apo port jahtesh.
Reagimi i Dakos
Bashkia e Durrësit është kundër ndërtimit të portit të peshkimit pranë shëtitores bregdetare. Kreu i këtij institucioni, Vangjush Dako, u shpreh se “do të vazhdojmë ta mbajmë këtë qëndrim për arsye se mbrojmë interesat e qytetit dhe qytetarëve të Durrësit”. Vangjush Dako ka shpjeguar edhe njëherë dje arsyet pse Bashkia e Durrësit është kundër këtij porti në vendin e parashikuar nga qeveria. Sipas Dakos, janë tri arsye, të cilat kanë të bëjnë me mjedisin, trafikun dhe imazhin turistik. Dako shprehet se Bashkia e Durrësit e do zhvillimin dhe kjo është arsyeja që ka paraqitur tri alternativa për vendin ku duhet ndërtuar porti, pasi në vendin ku aktualisht kërkohet për t’u ndërtuar, Bashkia ka projekt në perspektivë për ndërtimin e një porti jahtesh që jep impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit: “Zgjedhja për të realizuar një infrastrukturë industriale përgjatë shëtitores urbane pranë detit në Durrës është sigurisht joadekuate dhe për më tepër, në kontrast me imazhin turistik që në vitet e fundit qyteti ka shprehur. Realizimi i një infrastrukture të tillë në të vërtetë do të gjeneronte, përveç një impakti viziv negativ për ata që përdorin shëtitoren, por do të krijonte probleme në trafik sepse mjetet për transportin e peshkut do të ishin të detyruara të përshkonin rrugët e qendrës së qytetit në një kohë kur qendrat e qyteteve turistike duhen zbrazur për të favorizuar kushte të përshtatshme mjedisore për turistët dhe për vetë banorët e qytetit. Dako theksoi se nuk është kundër ngritjes së portit të peshkimit, por i sugjeroi qeverisë që të shohë mundësitë për ta ngritur në zonën e Porto Romanos, apo në zonën verilindore të portit tregtar, në një zonë më pak të çmueshme nga pikëpamja turistike dhe në afërsi të ngushtë me autostradën që lidhet me Tiranën. Sipas tij, një hipotezë tjetër mund të jetë që të krijohet një hapësirë në brendësi të portit tregtar për t’iu dedikuar aktivitetit të peshkimit. “Pra, ne nuk jemi që të digjet kredia, por ajo të vazhdojë dhe të përdoret për ndërtimin e portit të peshkimit, por ky port duhet ndërtuar në një zonë tjetër, dhe jo në shëtitore, pasi aty ku duan ta ndërtojnë ai krijon probleme të mëdha”, - u shpreh kryebashkiaku Dako.
Kundër ndërtimit të portit të peshkimit ka dalë jo vetëm Bashkia e Durrësit, por edhe specialistët gjatë një debati publik me qytetarët në lidhje me këtë projekt.
Planet
Një studio e huaj, e cila ka fituar konkursin për hartimin e planit rregullues të qytetit, është shprehur kundër ndërtimit të një porti peshkimi në shëtitoren bregdetare. Bashkia kërkon të ndërtojë një port jahtesh që jep një imazh shumë më të bukur turistik. Kryebashkiaku Dako hodhi gjithashtu idenë e zhvillimit të një referendumi nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët me qeverinë në lidhje me këtë çështje: “Bashkia e Durrësit ka një projekt që përfshihet brenda studimit të qendrës së qytetit e miratuar edhe nga KRTRSH-ja që në perspektivë, në zonën ku kërkohet të ndërtohet porti i peshkimit, të ndërtohet një port turistik jahtesh, i cili është totalisht në funksion të shëtitores bregdetare si dhe krijon një imazh tepër pozitiv turistik. “Ky është projekti i Bashkisë së Durrësit ndërkohë që për portin e peshkimit ne do të vazhdojmë të jemi kundër ndërtimit në atë zonë”, - deklaroi Dako. Bashkia ka nisur edhe një diskutim publik për të dalë me një mendim të përbashkët për këtë çështje”. Disa ditë më parë, zyrtarë të lartë të qeverisë akuzuan Dakon për qëndrimin që ka mbajtur në lidhje me ndërtimin e objektit. Ky është rasti i dytë që kryetari i Bashkisë së qytetit bregdetar vihet në shënjestër të sulmeve nga qeveria.
Elbasan, dështon për herë të dytë miratimi i buxhetit
ELBASAN - Dështon për herë të dytë miratimi i buxhetit të Bashkisë së Elbasanit për vitin 2010. Shkak janë bërë debatet e ashpra mes këshilltarëve të forcave kundërshtare politike. Mbledhja e këtij Këshilli ka nisur dhe është mbyllur me tensione, të cilat kanë marrë shkas nga kontestimet e shumta që i kanë bërë projektbuxhetit këshilltarët e djathtë të mbështetur edhe nga ata të LSI-së. Gjatë mbledhjes, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, duke kërkuar votat, u është drejtuar këshilltarëve të të gjitha forcave politike të mos e shtyjnë më miratimin e tij. Debatet mes tij dhe kreut të Këshillit Bashkiak në lidhje me buxhetin e këtij viti kanë bërë që kryetari i Bashkisë së Elbasanit të largohet nga salla në mënyrë demonstrative. Në një situatë të tillë këshilltarët nuk kanë arritur konsensusin për të miratuar projektbuxhetin e Bashkisë së Elbasanit për vitin 2010, deri në një mbledhje të radhës.
Hetimet për përmbytjet, merret në pyetje drejtori i KESH-it
SHKODËR - Prokuroria e Shkodrës thirri dje drejtorin e Përgjithshëm të KESH-it, Muharrem Stojku, për të dhënë dëshminë e tij për të dhënat mbi menaxhimin e kaskadës së hidrocentraleve para dhe gjatë përmbytjeve. Qëndrimi në Prokurori ka zgjatur mëse 2 orë, ndërsa gazetarët nuk janë lejuar të jenë të pranishëm. Vetë drejtori i KESH-it nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë për mediat pasi ka dhënë dëshminë e tij. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se drejtori i KESH-it ka thënë se menaxhimi i kaskadës së Drinit ka qenë normal, duke shtuar se shkarkimet kanë nisur që prej datës 27 dhjetor.
Sipas rregullores, përcaktohet se niveli maksimal në digën e Fierzës është 290 metra, ndërkohë që, paraprakisht, dyshohet se ky nivel është shkelur dhe niveli i ujit në basen arriti në mbi 290 metra. Prej disa ditësh ka nisur verifikimi i dëmeve në zonat e prekura nga përmbytjet, ndërsa Emergjencat Civile bëjnë të ditur se ky proces do të përfundojë brenda 2 javësh. Vetëm 12 ditë pas përmbytjeve, Prokuroria nisi hetimet për këtë ngjarje. Opozita kërkoi administrimin e provave shkresore për gjendjen në kaskadën e Drinit dhe regjimin e shkarkimit të ujërave, që më datën 3 janar.
ee
27 Janar 2010