Autostrada e vdekjes merr një tjetër jetë
Përgjaken sërish akset nacionale, si pasojë e aksidenteve automobilistike. Dy të vdekur ka qenë bilanci i dy ngjarjeve rrugore të ndodhura brenda pak orësh në Vlorë dhe në superstradën Fushë-Krujë-Lezhë. Viktima e parë ka qenë një 33-vjeçar nga fshati Bërdicë i Shkodrës, i cili udhëtonte me një motoçikletë në superstradën Fushë Krujë-Lezhë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:45, pranë mbikalimit të Patokut, kur viktima Jetmir Mehja, 33 vjeç, që udhëtonte me një motoçikletë, është përplasur me një betoniere, me targa LA9492A, që drejtohej nga Lulzim Lika, 42 vjeç, nga fshati Gjormë i Kurbinit. Përplasja ka qenë fatale dhe i riu ka humbur jetën brenda pak minutash. Sipas policisë, rruga në të cilën ka hyrë drejtuesi i motoçikletës ka qenë e bllokuar, pasi aktualisht është në ndërtim mbikalimi i kryqëzimit të Patokut. Viktima udhëtonte nga Shkodra dhe shiste peshk në Laç dhe Fushë-Krujë. Vetëm pak orë më pas, një 35-vjeçar nga Vlora ka gjetur vdekjen pas përplasjes se automjetit me të cilin udhëtonte me pishat e Pyllit të Sodës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur viktima Ali Hyseni, 35 vjeç, ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip “Fiat Punto” me targa italiane, për të bërë furnizimet për restorantin në të cilin ai punonte. Gjatë rrugës së kthimit për në Zvërnec me furnizime në makinë, pasi dhe kishte konsumuar dhe një sasi të konsiderueshme alkooli, ai ka humbur kontrollin e automjetit dhe pasi është rrotulluar disa herë në rrugë, është përplasur me pishat që ndodhen anash rrugës.
#