Berisha-USAID: Heqja e imunitetit ul korrupsionin
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informimit do të shërbejë për regjistrimin elektronik të bizneseve, prokurimin elektronik dhe deklarimin elektronik të tatimeve. Kjo agjenci është përuruar dje nga Kryeministri Sali Berisha dhe është krijuar në prill të vitit 2007. Për rinovimin e ambienteve të kësaj agjencie u kujdes qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim ishte e pranishme edhe administratorja e USAID-it, Henrietta Fore, dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Withers. Fore ka theksuar se po bëhet një hap i mirë për luftën ndaj korrupsionit dhe ka përshëndetur nismën për kufizimin e imunitetit. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale, si një kusht vendimtar për t‘u shkëputur sa më shpejt nga e shkuara dhe për t‘u ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira dhe më të lira, si dhe për të bërë më transparente qeverisjen ndaj tyre. "Qeveria nuk do të kursejë asnjë përpjekje për ta shtrirë moshën dixhitale në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të jetë koordinatorja e shërbimeve të qeverisjes elektronike për funksionimin e moshës dixhitale", tha ai.