Meimerakis: Athina jep votën e saj "pro" për Shqipërinë
Ministri grek i Mbrojtjes, Evangelos Meimarakis, u shpreh i palëkundur në mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Kjo u konfirmua gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore, të mbajtur më 11 mars në Sofje (Bullgari), ku ishte i pranishëm edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas zyrës së shtypit pranë kësaj ministrie, në këtë takim, të drejtuar nga ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Veselin Bliznakov, morën pjesë ministrat e Mbrojtjes nga Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Greqia, Rumania, Moldavia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Katsirdakis, Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, etj.
Perspektiva evropiane dhe euroatlantike e vendeve të rajonit, forcimi i paqes, stabilitetit dhe sigurisë, si dhe forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ishin në qendër të këtij takimi. Ministrat e Mbrojtjes, si dhe përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s vlerësuan arritjet e vendeve të A-3 në realizimin e reformave për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.