Berisha: Raportet e mia me Ramën
Shërohet politika shqiptare nga sindroma e konflikteve dhe mosbashkëpunimit. Kryeministri Sali Berisha tregon hapur se ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit me liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, por ka theksuar se bashkëpunimi me lidershipin e opozitës nuk është vetëm për reformat, por për një seri çështjesh. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri urdhëron ministrin Lufter Xhuveli që të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës për të përmirësuar ndotjen e mjedisit në kryeqytet. "Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me organizatat e shoqërisë civile, duhet të ulemi dhe të bëjmë një plan për kryeqytetin, sepse gjendja e mjedisit në kryeqytet është e kundërta e gjendjes në të cilën është vendi në tërësi, edhe pse në Tiranë jetojnë mbi gjysmë milioni qytetarë", u shpreh ai përpara ministrave aleatë.
Këtë deklaratë, Kryeministri e ka bërë për të qetësuar aleatët me të cilët qeveris, duke u treguar atyre se nuk bashkëpunon me ta vetëm për reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, por edhe për çështje të tjera, duke përdorur si gur loje në këtë mes një nga aleatët e tij, ministrin Xhuveli. Duke lëshuar batuta me ministrat aleatë, Kryeministri i ka dhënë mbledhjes së qeverisë nota humori për të treguar se marrëdhëniet mes koalicionit janë të shëndetshme. Batutat e Kryeministrit Berisha erdhën vetëm pasi ai ua bëri 8 me 2 aleatëve, dhe më pas duke u përpjekur në mbledhjen e qeverisë të shtensionojë marrëdhëniet me koalicionin qeveritar. Duke iu drejtuar ministrave aleatë, që ishin të gjithë të pranishëm në sallën e Këshillit të Ministrave, Berisha u shpreh se "sapo fola për bashkëpunim me Ramën për mjedisin, ministrat e mi aleatë të PD-së shkëmbyen shikimet. Ka rastisur që kryetari i PS-së, Rama, të jetë edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, unë nuk kam ç‘të bëj, nuk mund ta injoroj Tiranën". Duke iu drejtuar ministrit më besnik ndër aleatët, Berisha u shpreh se "Fatmir, unë flas për mjedisin, ty të shkon mendja te reforma, por sot po diskutohet për mjedisin". Si kundërpërgjigje brenda notave të humorit, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është shprehur se "u fol për bashkëpunim, prandaj edhe ne interesohemi". Pas këtij show-mediatik, i cili ndodh jo rrallë herë në mbledhjet e qeverisë, ku Kryeministrit i pëlqen që të vërë në siklet vartësit e tij, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, nuk ka preferuar të mos jetë protagonist i batutave Berisha-Mediu. Duke iu referuar strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim 2007-2013, Ndoka u shpreh se "shpresojmë që të mos ta kaloni këtë paketë, ashtu si paketa e reformave". Ndonëse janë shprehur se nuk jemi xheloz nga bashkëpunimi PD-PS, po kanë kërkuar vetëm të bëhen pjesë e këtij bashkëpunimi, probleme, të cilat tashmë mund të cilësohen të vogla me aleatët, nisën për paketën e reformës zgjedhore. Batutat e Kryeministrit me aleatët kanë qetësuar disi ujërat brenda koalicionit, kur pas kërcënimeve të vazhdueshme nga të vegjlit, tashmë këta të fundit janë tërhequr nga presionet dhe nuk u ngelet gjë tjetër veçse të vëzhgojnë veprimet e ardhshme të dy forcave më të mëdha politike në vend. Dy partitë e mëdha kanë hapur letrat e bashkëpunimit për të kryer reformën zgjedhore. Partia Socialiste ka paraqitur në Konferencën e Kryetarëve të hënën nismën për amendimet kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor. Nëpërmjet kësaj nisme, PS-ja ka propozuar një sistem proporcional rajonal me lista të mbyllura, bazuar në ndarjen administrative sipas qarqeve aktuale, konkretisht në 12 qarqe. Propozimi i PS-së është pranuar hapur nga pala demokrate. Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, Berisha ka shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit me forcën më të madhe opozitare, duke theksuar se PD-ja do të pranojë çdo lloj paketë që do të ofrohet nga e majta.
Batutat
Berisha: Fatmir, unë flas për mjedisin, ty të shkon mendja te reforma, por sot po diskutohet për mjedisin.
Mediu: U fol për bashkëpunim, prandaj edhe ne interesohemi.
Berisha: Sapo fola për bashkëpunim me Ramën për mjedisin, ministrat e mi aleatë të PD-së shkëmbyen shikimet. Ka rastisur që kryetari i PS-së, Rama, të jetë edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, unë nuk kam ç‘të bëj, nuk mund ta injoroj Tiranën.
Ndoka: Shpresojmë mos ta kaloni këtë paketë, ashtu si paketa e reformave.