E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vakum pushteti në FMN pas arrestimit të Shtraus-Kahn

Strauss-Kahn ishte ylli i pakontestuar i Fondit Monetar Ndërkombëtar, shkruan DW-ja. Ai u kujdes për këtë imazh veçanërisht gjatë krizës financiare. Arrestimi i tij vjen në një moment të keq për FMN-në.
 
Si të paralizuar janë punonjësit në funksione drejtuese në selinë qendrore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërtesën impozante në Pennsylvania Avenue në Uashington. Mbledhjet e emergjencës pasojnë njëra-tjetrën, punonjësit kanë urdhër të rreptë për të mos folur me gazetarët. Banka globale me emrin FMN ndodhet aktualisht në "gjendje shoku".

Pikërisht fondi, i cili duhet të rrezatojë besim për tregjet financiare, bursat e para së gjithash eurozonën, është dobësuar në mënyrë masive për shkak të arrestimit të shefit të tij Dominik Shtraus-Kahn. 

Pasi 'DSK', siç thërritet nga bashkëpunëtorët e tij në Uashington Dominik Shtraus-Kahn, ishte ylli i pakontestuar i FMN-së. Vërtet epiteti i tij "joshësi i madh" e ndoqi atë edhe në Uashington dhe lidhja me një bashkëpunëtore e vuri bosin e FMN-së në pozitë të vështirë në vitin 2008. Edhe tendenca e tij ekstreme për një jetë luksoze shkakton shpoti të lehta.

Bosi i FMN-së me një rrogë mujore neto prej 35.000 dollarësh e inskenoi veten edhe në SHBA si një "socialist i kaviarit". Sipas medieve amerikane me shoqërinë Air France, ai kishte një marrëveshje speciale, e cila i garantonte atij në çdo avion një vend në klasin e parë. Dhe në lagjen e njerëzve të shquar në Uashington, Georgetown ai i kishte lejuar vetes një vilë me vlerë 4 milionë dollarë: kjo përshtatej mirë me imazhin e tij si yll i skenës së financave.    

Sipas gjykimit të përbashkët të botës financiare, Shtraus-Kahn e përmirësoi shumë emrin e Fondit Monetar, që prej marrjes së postit në vitin 2007. E pikërisht në kohën e krizës dramatike financiare dhe ekonomike ai i dha organizatës imazhin e një spirance shpëtimi, me famë ndërkombëtare.

Shtraus-Kahn e manovroi FMN-në me sovranitet në krizën financiare. Socialisti francez konsiderohej si njeriu i cili jo vetëm kishte lidhje të mira me qeverinë socialiste greke, por fjala e të cilit kishte peshë të veçantë në Berlin dhe Bruksel sa i takon paketave të shpëtimit për Greqinë dhe Portugalinë.

Por Shtraus-Kahn nuk do ta prezantojë më FMN-në në takime ndërkombëtare, të paktën jo për një farë kohe. Dhe zëvendësi i tij John Lipsky, i cili u caktua të dielën (15.5.) drejtor i përkohshëm në një takim me tension të jashtëzakonshëm, cilësohet nga gazeta "Wallstreet Journal" si një "figurë e dobët".

Për këtë përcaktim ka kontribuar edhe njoftimi i vetë Lipskyt pak ditë më parë, se në fund të gushtit do të largohet nga FMN dhe do të dalë në pension.

Strauss-Kahn i akuzuar për përdhunim, zëvendësi i tij me mendje tashmë në pension. Çfarë do të thotë kjo për FMN-në? Kjo është pyetja që ngrenë mediet në SHBA. Në fund të fundit Shtraus-Kahn ishte personazhi më i njohur në ndihmën për Greqinë.

"Momenti nuk mund të kishte qenë më i keq", mendon Bob Davis, specialisti i Wallstreet Journal për Fondin Monetar. Dhe kjo vlen jo vetëm për FMN-në por edhe për Evropën./Start/

                                                                                             2011-05-16 17:06
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›