Mbesin pa paguar Ekspertët e Gërdecit
Organi i akuzës ka kryer me më tepër se 11 akte ekspertimi, me anë të njerëzve me njohuri të posaçme në fusha të ndryshme
TIRANË- Mos rritja e fondit vjetor për Prokurorinë e Përgjithshme nga qeveria ka bërë që institucioni i akuzës të mbetet borxhli ndaj ekspertëve të ndryshëm ushtarakë e civilë, të cilët kanë kryer ekspertime për llogari të hetimit të tragjedisë së Gërdecit.
Ky fakt, mësohet nga burimet zyrtare pranë prokurorisë, të cilët shtuan se me mos rritjen e fondit vjetor për organin e akuzës nga Ministria e Financave që më pas është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe ka marrë formën e prerë nga votat e deputetëve të Kuvendit me shumicë të thjeshtë votash, ka sjellë pasojat e mos pagimit të ekspertëve të ndryshëm të hetimit të Gërdecit.
"Për llogari të hetimeve të ngjarjes së Gërdecit, grupit hetimor i janë dashur të kryhen një sërë akt-ekspertimesh të ndryshme nga institutet e ekspertëve pranë institucioneve zyrtare dhe atyre private.
Këta ekspertë, të caktuar nga hetuesit e tragjedisë kanë kryer ekspertime të ndryshme, si ekspertiza ushtarake, si shqiptarë dhe ato të huaj, ekspertë kontabël për caktimin e dëmit material, mjeko ligjore të kufomave, etj etj"-thuhet nga prokuroria.
Sipas tyre, asnjë nga ekspertët si ato të institucioneve shtetërore dhe private nuk janë paguar, edhe pse fazës hetimore të kësaj tragjedie po i vjen fundi me komunikimin e akuzave të rreth 40 të pandehurve, që një pjesë e madhe e këtyre të pandehurve, janë zbuluar si përgjegjës të lidhur direkt apo indirekt nga këta ekspertë.
"Ekspertimet e kryera nga këta ekspertë kanë qenë të detyrueshme për tu kryer, pasi një pjesë e këtyre akt-ekspertimeve kanë nxjerrë edhe personat përgjegjës që me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë "shpërdoruar detyrën", duke sjellë për pasojë tragjedinë e shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec të komunës Vorë",-thuhet nga burimet e akuzës.
Gjithashtu, këto burime theksuan se "mos pagimi i detyrimeve ndaj ekspertëve dhe instituteve ku ata punojnë, është bërë jo për shkak se Prokuroria e Përgjithshme nuk dëshiron, por, për shkak se fondi i caktuar nga qeveria është i limituar dhe nuk është i mjaftueshëm as për pagimin e dietave apo punës jashtë orarit të prokurorëve, e lëre më për pagimin e ekspertëve që institucioni jonë është i detyruar për ta bërë",-thonë zyrtarët e prokurorisë.
Ky shqetësim i mungesës së fondeve është ngritur edhe nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve duke kërkuar nga këta të fundit që të ndikojnë në Ministrinë e Financave për t'i kërkuar rritjen e fondit edhe për 20 milionë lekë të reja, kërkesë kjo e cila nuk është pranuar nga qeveria.
Përveç kësaj kërkese që nuk është pranuar, kryeprokurorja Rama ka vënë në dukje në atë kohë, që Ministria e Financave në buxhetin e ri të vitit 2009, nuk ka parashikuar edhe borxhet që institucioni i akuzës ka pasur dhe vazhdon të ketë karshi ekspertëve të ndryshëm.
Shumë kjo, që sipas kryeprokurores, kap shifrën e 100 milionë lekëve të vjetra. Sipas akuzës, janë rreth 15 akt-ekspertime të kryera nga ekspertë privatë e shtetërorë, të cilët janë të papaguar nga Prokuroria e Përgjithshme, edhe pse hetimit të dosjes tashmë po i vjen fundi dhe po dorëzohen në duart e Gjykatës së Lartë rreth 40 të pandehur si përgjegjës të lidhur direkt apo indirekt me shpërthimin e 700 tonëve barut në repartin e kthyer në punishte demontimi në Gërdec.
------------------------------------------------------------------
EKSPERTIZAT
Akt-ekspertim i shkakut të shpërthimit të fabrikës së demontimit
Akt-ekspertim i sasisë së barutit të shpërthyer
Akt-ekspertim i predhave dhe barutit të gjetur
Akt-ekspertim i kryer në Poliçan për kushtet e demontimit
Akt-ekspertim i ATF-së, që nuk dihet se është paguar nga Ambasada e SHBA-së apo pala shqiptare
Akt-ekspertim kontabël i dëmit të shkaktuar në ish-repartin e tankeve
Akt-ekspertim kontabël të kontratave, që për pasojë i kanë sjell dëmin material shtetit
Akt-ekspertim kontabël i caktimit të çmimeve të fishekëve
Akt-ekspertim kontabël i dëmit të municioneve të shpërthyera
Akt-ekspertim mjeko-ligjor i këqyrjes së 26 të vrarëve
Akt-ekspertim mjeko-ligjor të mbi 300 të plagosurve, etj etj.
20 TË PANDEHURIT E PARË:
Fatmir Mediu, ish-Ministër i Mbrojtjes
Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
Agim Lala, ish-zv\Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
Shpëtim Spahiu, ish-Komandant i Forcës së Bashkuar
Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse
Bardhyl Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë së Logjistikës
Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit (arrest shtëpie për një akuzë tjetër)
Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes
Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit
Dashnor Çaushi, ish-drejtori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm
Sokol Gjeçi, ish-punonjës i ndërmarrjes shtetërore "MEICO"
Sokrat Papadhima, ish-anëtar i Komisionit për Fishekët
Fari Toska, ish-anëtar i Komisionit për Fishekët
Zenun Fero, ish-anëtar i Komisionit për Fishekët
Hysni Çoçka, ish-anëtar i Komisionit për Fishekët
Ardian Mullahi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë
Adriatik Mema, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes
----------------------------------------------------------------
TË PANDEHUR NË BURG
Ylli Pinari, ish-drejtori i shoqërisë MEICO pranë Ministrisë së Mbrojtjes
Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë "Albademil"
Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë "Albademil"
Urdhrat e Mediut opër Gërdecin
Vendimi i Këshillit të Ministrave i iniciuar nga ish-Ministri Fatmir Mediu për marrëveshjen e çmontimit e municioneve, duke paracaktuar fituesin e këtij tenderi
Miratimi i urdhrit për transportimin e municioneve nga Forcat e Armatosura
Caktimi i vendit të çmontimit dhe çmilitarizimit të kryhet në ish-brigadën e tankeve të kaluar në administrim të MEICO-s, në rajonin e Gërdecit, Vorë "Tiranë.
Kalimin e Kompetencave të mbikëqyrjes së Gërdecit, nga Shtabi i Përgjithshëm ndërmarrjes MEICO
Parashikimin e kalimit të sasive dhe llojeve të municioneve të kalibrave 20-152 mm, në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave që parashikon shitjen e kalibrave të vegjël.
Kostoja e transportit të likuidohet nga ndërmarrja MEICO
Urdhrin drejtuar ndërmarrjen MEICO, që t'ia vërë në dispozicion të procesit e demontimit ambientet e Gërdecit pa qira, kompanisë SAC- ALBA DEMIL
Ka urdhëruar që ruajtja e rajonit të Gërdecit dhe depove të municionit të bëhet nga Komanda e Forcës së Bashkuar dhe Ndërmarrja MEICO dhe jo nga Forcat e Armatosura. etj etj