E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valentino Rosi, mrekullia nr. 100

Triumfi numër 100 i karrierës së Valentino Rosit ka ardhur në Assen. Për "Doktorin" bëhet fjalë për një fitore speciale në një vend special. Nuk ishte një fitore spektakolare si ajo e Montmelos së dy javëve më parë, por për italianin gjithsesi mbetet e paharrueshme, sepse shifrën treshe deri tani e kishte arritur vetëm nga Xhakomo Agostini, i cili kishte regjistruar 122 fitore. Tashmë në kuotën 100 është edhe Valentino Rosi, dje autor i një gare "alla Mikael Shumaker në F.1": një nisje shumë e mirë, avantazh i menjëhershëm falë xhirove të shpejta dhe menaxhim i shkëlqyer i situatës, duke lënë pas Horge Lorencon, që u rendit i dyti. I treti u pozicionua Kejsi Stoner, i cili mbeti shumë mbrapa dhe demonstroi një formë jo të mirë fizike. I katërti Kolin Eduards, shumë larg treshes së parë. Në garën e djeshme, Valentino ishte thjesht i pakapshëm. Garë shkatërrimtare për Honda Hrc: Daniel Pedroza e Andrea Doviciozo janë rrëzuar dhe të dy janë tërhequr.

100 fitoret

Valentino dje u duk se po nxitonte shumë. Për të nuk pati garë, pasi kampioni i botës kishte një takim me djemtë e klubit të fansave të tij, me të cilët kishte përgatitur një skenë festive për një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së tij: flamuri me numër 100 dhe pankarta e madhe. Sipër saj shiheshin 99 fotot e fitoreve të mëparshme dhe hapësira kryesore ishte rezervuar për atë të djeshmen. Spektakël brenda spektaklit. "100 fitoret e mia? Kjo është e 40-a me motorin Yamaha. Për mua të gjitha janë të rëndësishme, prandaj duhet të falënderoj shumë njerëz: familjen time, skuadrën time, miqtë e mi, sepse motori po ecën shumë mirë. Shpresoj të festoj akoma edhe për shumë fitore të tjera në karrierë". Kështu është shprehur Valentino Rosi, pak pasi kishte kaluar finishin e garës së Asen dhe kishte regjistruar fitoren e tij të 100-të në botërorin e motorëve. "Është emocionuese të arrish fitoren numër 100. Kjo është një ditë që do ta mbaj mend gjithmonë. Nuk e mendoja se do të mund të arrija 100 suksese. Kam pasur periudha të vështira, por tani është fantastike, shprehet ‘The Doctor‘. Sot ndihem më i fortë. Dueli me Lorencon deri në kthesën e fundit do të kishte qenë i vështirë. Nëse vazhdoj të garoj akoma, këtë ia di për nder Yamahas. Skuadra mi bën gjërat më të thjeshta", përfundon Rosi.

I paarritshëm

"Një objektiv gati i paarritshëm" ka theksuar në fund Horge Lorenco. Dje spanjolli ka provuar t‘i ngjitet nga mbrapa, por më pas e ka kuptuar se hapi i rivalit ishte si i atij që vinte nga "një tjetër planet". U tërhoq dhe i mbrojti me mençuri 20 pikët, që i mundësojnë të qëndrojë në ndjekje të Valentinos. Por tashmë fillon periudha më e vështirë: sepse është prapa dhe duhet të demonstrojë akoma se parakalimi në Montmelo nuk e ka lënë të shokuar moralisht, një dyshim i ngritur tashmë nga të gjithë. Për sa u përket të tjerave, për t‘u cituar është vendi i katërt i Eduards përpara Vermulenit, Toselandit e De Puniesë. Kapirosi i 10-ti, De Angelis i 11-ti, Melandri i 12-ti. Në fund të garës është rrëzuar edhe Mika Kalio, i cili deri në ato momente pozicionohej i 7-ti. Javën tjetër do të garohet në Laguna Seka.

MotoGp

Finishi

1. V. Rossi Yamaha 42:14.611

2. H. Lorenzo Yamaha 5.368

3. K. Stoner Ducati 23.113

4. K. Eduards Yamaha 29.114

5. K. Vermeulen Suzuki 33.605

6. Xh. Toseland Yamaha 39.347

7. R. De Puniet Honda 39.543

8. T. Elias Honda 39.774

9. N. Hajden Dukati 39.823

10. L. Kapirosi Suzuki 40.673

Klasifikimi

Pilotët

1. V. Rosi Yamaha 131

2. H. Lorenco Yamaha 126

3. K. Stoner Dukati 122

4. A. Doviciozo Honda 69

5. D. Pedroza Honda 67

6. K. Eduards Yamaha 67

7. L. Kapirosi Suzuki 55

8. M. Melandri Kavasaki 54

9. K. Vermeulen Suzuki 53

10. R. De Punie Honda 51

Konstruktorët

1. Yamaha 165

2. Dukati 122

3. Honda 98

4. Suzuki 71

5. Kavasaki 54



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›