Morati optimist: Ibra u vetëlargua nga merkato
Marko Tronketi Provera tha: "Sa më shumë kalon koha, aq më shumë rriten shanset (50 për qind është shifra e dhënë nga Masimo Morati) që Ibrahimoviç dhe Maikon të qëndrojnë me Interin". Gjatë kësaj kohe, Morati tregon edhe shpirtin prej tifozi: "Nëse ata të dy qëndrojnë, është e sigurt që do të jemi një skuadër shumë e fortë…". Me kalimin e ditëve, presidenti zikaltër shfaqet më i sigurt: "Siç e kam thënë gjithmonë, Ibra dhe Maikon nuk largohen". Gjithsesi, dyert janë të hapura për klubet që brenda pak kohe do të bëjnë oferta të kënaqshme për lojtarët. Drejtuesit e Interit kanë përcaktuar çmimet e dy yjeve të kontingjentit të Hoze Murinjos: 80 milionë euro për suedezin dhe 40 për brazilianin. "Por, për momentin nuk kanë mbërritur propozime që na bindin", shpjegoi Morati. Ndërkohë, nga Suedia, Ibrahimoviç jep sinjale, sipas të cilave duket gjithmonë e më i bindur të qëndrojë në Milano. Prej disa ditësh, "Gjeniu i Malmos" ka dërguar disa dhjetëra sms në zyrat e klubit: mesazhe me tone optimiste dhe qëllime të mira. Kësaj i shtohet edhe intervista e fundit për "Expressen": "E ardhmja ime është tek Interi", ishte deklarata e golashënuesit më të mirë të Serisë A. Sipas Moratit dhe të tjerëve në klub, me këto fjalë "Ibra është vetëlarguar nga merkato". Njëshi i klubit shtoi: "Edhe mua më duket sikur ai (Zlatan) ka dëshirë të qëndrojë. Në disa raste janë menaxherët ata që i telekomandojnë futbollistët". Tashmë Interi duhet të largojë disa elementë: Amantino Mansini duket pranë transferimit tek Uest Hem, ndërsa Vieira do të largohet si lojtar i lirë.