E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valuta, leku shqiptar humb pikë ndaj euros

TIRANE- Monedha shqiptare humbi terren gradualisht ndaj euros gjatë javës së fundit të muajit tetor, si pasojë e ribalancimit të kursit të këmbimit mes euros dhe dollarit në tregun ndërkombëtar. Në agjencitë e këmbimit valutor një euro u kuotua të shtunën në 141.70 lekë, nga 140.70 lekë që blihej një javë më parë. Ndërkohë, dollari ra në 100 lekë për herë të parë pas disa muajsh që blehej me 103.80 lekë.

Ekspertë të agjencive bëjnë të ditur se, forcimi i euros kundrejt dollarit dhe lekut erdhi si pasojë e marrëveshjes së arritur nga udhëheqësit e eurozonës për zgjidhjen e krizës së borxheve greke. Forcimi i euros kundrejt lekut ka qenë gradual dhe nuk përbën ndonjë ndryshim tendence.
Ndërkohë që euro, gjykojnë ata, ka lëvizur në një hapësirë të ngushtë mes 140 dhe 141.7 lekë gjatë dy muajve të fundit, ndërsa luhatjet e forta të tregut ndërkombëtar janë pasqyruar në tregun shqiptar me forcim ose dobësim të dollarit.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›