E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prerja” e borxhit, në Parlament, me shumicë të thjeshtë

ATHINE-Ndryshon strategjia e qeverisë greke pas Samitit të BE.
Fillimisht dukej se ajo do të rrezikonte në Parlament duke kërkuar miratimin e marrëveshjes mbi prerjen e borxhit, me 180 vota, pasi sic u shprehën përfaqësues të lartë të saj, një marrëveshje e tillë kaq e rëndësishme për vendin, do të kërkonte një shumicë të gjerë parlamentare.

Numri i sotëm i gazetës Ta nea, shkruan se “nëse opozita këmbëngul për të mos e votuar marrëveshjen, qeveria do ta hedhë atë në votim dhe do të kërkojë për miratim vetëm shumicë të thjeshtë”. Në këtë mënyrë qeveria nuk rrezikon rrëzimin e marrëveshjes, gjë që do të sillte pashmangshmërisht zgjedhje të reja.
Ndërkaq probleme vazhdojnë të vërehen brenda grupit parlamentar të PASOK-ut, deputetët e të cilit kanë presion nga baza, ashtu si cdo herë, që në parlament votohen masat ekonomike.

Gazeta Ta Nea shkruan se tani vëmendja është përqëndruar në lëvizjet që do bëjë kryeministri Papandreu brenda qeverisë, për t’i dhënë një shtytje të re punës së saj, ndërkohë që zbatimi i detyrave të Trojkës cilësohet “i vonuar”.
Papandreu shprehet se zgjedhjet nuk janë zgjidhja që do populli, i cili kërkon ndryshime dhe ndryshimet vijnë vetëm duke zbatuar reformat.
Ndërkaq në një intervistë për TV Mega, zëvendës ministri i Financave Filipos Sahinidis tha se “Nuk do të ketë masa të tjera, por me kushtin që të zbatohet cdo masë e miratuar nga Parlamenti, si mënyra e vetme që vendi të mund të arrijë objektivat e tij financiare për vitin 2012”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›