I pandehuri Ngjeçi: Pozicioni im në fabrikën e Gërdecit
Pas afro një viti i arrestuar, për herë të parë flet për pozicionin e tij në çështjen “Gërdeci” i pandehuri ushtarak, Sokol Ngjeçi. Pas verifikimit të pranisë së palëve në proces dhe kur pritej të fillohej me dëshmitë, i pandehuri ka ngritur dorën t’i jepej fjala dhe ka kërkuar të bëjë një deklaratë. Pasi i është dhënë fjala, i pandehuri ka deklaruar se donte të fliste për pozicionin e tij në fabrikën ku ndodhi shpërthimi në Gërdec, kryesisht për periudhën dhjetor 2007 e janar 2008. “Më datë 7 dhjetor ka dalë urdhri i Ministrisë së Mbrojtjes duke i dhënë dritë jeshile për evidentimin, transportimin dhe shoqërimin e municioneve sipas kalibrave, nga depot e Forcave të Armatosura drejt agjenteve të repartit ushtarak Gërdec, ku do të depozitoheshin, administroheshin dhe më pas do i dorëzoheshin kompanisë SAC”, - ka nisur deklaratën e tij i pandehuri Ngjeçi, duke vijuar se “me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes i kam dorëzuar pranë kompanisë SAC një sasi municioni të të gjitha llojeve të kalibrave”. Më tej, i pandehuri vijoi deklarimin e tij, të cilin e kishte përgatitur me shkrim, për takimin që kishte pasur në ambientet e fabrikës Gërdec me Dritan Minxhollin, ish-drejtorin e fabrikës. “Minxholli atë ditë më tregoi një dosje të madhe të kuqe, në të cilën pashë se përmbante shumë dokumente, të cilat kishin të bënin me materialin bazë të procesit teknologjik dhe të rregullave të sigurimit teknik, mbi të cilin fabrika kishte kryer projektin e parë dhe do të vazhdonte të kryente procesin e fazës së parë të projektit të dytë brenda ambienteve të fabrikës në repartin ushtarak të Gërdec”, - vazhdoi deklaratën Ngjeçi, duke vijuar se “atë ditë, drejtori Minxholli më tregoi një sërë skicash, fotografish dhe materiale shkresore, ku pjesa më e madhe ishte në shqip dhe një pjesë në anglisht. Këto materiale kishin të bënin me formën e organizimit të punës dhe rregullave të saj teknike për sa i përket fazës së parë të projektit të dytë që fabrika do të realizonte”. Deklarata vazhdonte me shpjegimet që Minxholli i kishte dhënë të pandehurit Ngjeçi lidhur me rolin e amerikanëve në procesin e dytë, konkretisht anën teknike, ndërkohë që nga faza e parë kishin lënë disa skica, ku tregohej mënyra teknike e shkëputjen së kokës së predhës nga gëzhoja. “Ky proces konsistonte në të njëjtën mënyrë si tek fishekët, vetëm se procesi do të kryhej mekanikisht me dorë. Pajisja ishte platformë vertikale statike, metalike ose betoni, në të cilën do të montohej sistemi i morseterisë ku do të fiksoheshin segmente të grykës së zjarrit”, - vijoi deklarata e Minxhollit. Gjithashtu, Ngjeçi deklaroi se kishte parë edhe skica të tjera që tregonin mbi demontimin e djegoreve fundore nga predhat, referuar nga pala amerikane. Po atë ditë, Minxholli mësohet t’i ketë thënë të pandehurit tjetër, Ngjeçit, sipas deklaratës së këtij të fundit bërë në sallën e gjyqit, se “amerikanët referojnë ndërtimin e tyre brenda fabrikës dhe se me to duhej të punojnë specialistë ushtarakë me përvojë në fushën e demontimit të municioneve, moment ky kur drejtori Minxholli më bëri kërkesën për specialistët”. I pandehuri deklaroi se drejtori Minxholli i kishte deklaruar se roli i specialistëve në fabrikë do të ishte trajnimi i punonjësve, kontrolli I punonjësve në fazën e parë të projektit të dytë për ç’ambalazhimin dhe veçimin e elementëve të municionit të kalibrit 100%-152%. Në janar, sipas Ngjeçit, ka filluar puna dhe ka rekomanduar specialistët ushtarakë që filluan punën në janar të vitit 2008. Në të njëjtën kohë, sipas tij, filloi edhe furnizimi me municion në repartin ushtarak të Gërdecit. “Qysh në momentin kur filloi puna dhe deri në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, nuk ka pasur ndonjë shqetësim dhe puna ka ecur normalisht, nuk kam pasur asnjë shqetësim apo kontakt me drejtorin Minxholli apo persona të tjerë të fabrikës. “SAC-Albdemil” kishte specialistët e saj që Të mbikëqyrnin punën sipas referencës amerikane. Këta specialistë nuk më kanë ngritur asnjë shqetësime gjatë kohës që unë kam kontaktuar me ta”, - përfundon deklaratën i pandehuri Ngjeçi, i cili shtoi se Minxholli i kishte thënë se së shpejti do fillonte faza e dytë e projektit të dytë me demontimin e tritolit nga predhat.
Dëshmia :Saldimet e karrocave në fabrikë bëheshin në shtëpinë e Deliut
Uran Deliu, një prej dëshmitarëve që ka humbur 5 anëtarët e familjes së tij, ka treguar se saldimet nuk bëheshin në fabrikë, po në oborrin e shtëpisë së tij. “Kur prisheshin karrocat, babai im, Qemal Deliu, i merrte në shtëpi, ku pasi i saldonte i çonte sërish në fabrikë. Ditën e ngjarjes isha në banesë, që na ndan vetëm rruga nga fabrika. Isha në oborr me vëllanë dhe djalin. Dëgjova shpërthimin dhe kemi ikur me vrap. Ika, u futa në një bunker. U ktheva të kërkoj familjen. Erdhi policia dhe me dy policë kam shkuar tek shtëpia ku nuk kam gjetur asnjë person. Kam shkuar në Spitalin Ushtarak, ku mësova se prindërit i kisha tek “Nënë Tereza”, kurse djalin, nusen dhe vëllanë nuk i gjeta fare. Nusen e vëllait e gjeta pas 2 ditësh, djalin e gjeta pas 3 ditësh. Si pasojë e shpërthimit, humba pesë anëtarë të familjes. Banesa u prish plotësisht”, - ka treguar gjatë seancës së djeshme Deliu. Në dëshminë e tij, dëshmitari ka shpjeguar se kishte shkuar shpesh në fabrikën e Gërdecit, ku ndihmonte prindërit e tij. Si drejtues, ai kishte dëgjuar se ishte Mihal Delijorgji, të cilin e kishte parë në fabrikë. “Mbaj mend se ka rënë një herë zjarr në fabrikë”, - ka pohuar dje Deliu.