E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Den Dool: Zgjedhjet, ka ardhur koha për PS-në

Ambasadori holandez në Tiranë, Henk Van Den Dool në një intervistë për emisionin “Shqip” në “Top Channel” me gazetaren Rudina Xhunga foli dje për reformën zgjedhore, zgjedhjet lokale, “21 janarin” dhe tragjedinë e Gërdecit.
Në sytë tuaj, ç’e pengon rritjen dhe pjekurinë e kësaj shoqërie?
Një nga gjërat që dua të them është se në Holandë dhe në shumë shtete të tjera me demokraci të vjetër e konsoliduar, kemi krijuar një lloj lidhje të veçantë midis qytetarit dhe shtetit. Dhe kemi mësuar se shteti është aty për mua dhe jo anasjelltas. Në një vend, i cili ka kaluar një regjim totalitar është pak më ndryshe. Shteti nuk është aty për ty, nuk është miku yt, por shteti është armiku yt, shteti është duke të kërcënuar ty dhe kjo mendoj se të çon në një sjellje tjetër. Të çon në një sjellje që ti nuk i drejtohesh shtetit për të gjetur ndihmë dhe mbështetje. Besoj që edhe pse kanë kaluar 20 vjet, kjo është shumë shpesh ajo çka gjej të ndodhë në Shqipëri. Kujdesi shëndetësor publik lë shumë për të dëshiruar, arsimi publik është vërtetë një fatkeqësi.
Z. Ambasador, si e shikoni fundin e reformës zgjedhore?
Gjithcka varet nga vullneti politik. Nëse vërtetë jeni të vendosur që të keni zgjedhje demokratike të gjithë rregullat nuk kanë nevojë të jenë shumë të komplikuara. Nëse je i vendosur të kesh zgjedhje dhe proces demokratik të lirë, të ndershëm, nuk ke nevojë për shumë rregulla. Sa më të komplikuara të bëhen rregullat, aq më shumë mundësi ka që njerëzit t’i përdorin këto rregulla në favor të ambicieve të tyre politike. Këto gjëra duhet të ndryshohen që më në fund të sigurohemi që zgjedhjet e 2013-ës të jenë plotësisht të lira dhe të ndershme, ashtu si ne themi dhe ashtu si do të donim ta shikonim.
Por ndërkohë, të gjitha gjasat tregojnë se në çfarë rruge po shkojmë. Për shembull, zgjedhja e presidentit a ishte një tregues?
Procesi ka qenë sipas Kushtetutës dhe presidenti i ri është një politikan i respektuar. Unë e kam takuar atë si ministër i Drejtësisë, po ashtu edhe kur ka shërbyer si ministër i Brendshëm. Mua më ka dhënë përshtypjen e një njeriu të balancuar, serioz dhe që meriton respekt dhe unë shumë sinqerisht e uroj shumë për detyrën e re sepse nuk besoj se do të jetë një detyrë e lehtë. Por unë nuk e di se çfarë do të bëjë ai si President, sepse ai asnjëherë nuk pati shansin të prezantonte platformën e tij, vizionin e tij për postin e Presidentit. U zhgënjeva nga ky proces dhe mënyra se si ai u zhvillua. Kisha shpresuar se do të kishte qenë një proces më gjithëpërfshirës, kisha shpresuar për një President i cili do të mbështetej nga një mazhorancë e pastër ose një mazhorancë e cilësuar mundësisht. E vërtetë që procesi ishte kushtetues, veçse Kushtetuta, ashtu si çdo ligj tjetër ka një shkronjë, por ka edhe një shpirt. Besoj që ajo çfarë Kushtetuta nënkupton është që të ketë një President që gëzon votën dhe mbështetjen e një shumice të cilësuar.
Fakti që respektuam shkronjën por jo shpirtin, mund të na largojë më nga statusi?
Kjo nuk lidhet direkt me statusin e vendit kandidat. Shqipëria ka punuar për të plotësuar këto 12 pika, por fatkeqësisht nuk ka arritur ende mjaftueshëm sukses për të marrë një rekomandim pozitiv. Pra, edhe nëse në 2011, Komisioni Evropian do të duhej të shkruante një përfundim, do të shkruante: Puna është duke u bërë, por nuk ka një progres domethënës për këto 12 pika. Shpresoj që Shqipëria ta marrë statusin sepse do të ishte një dhuratë shumë e bukur që klasa politike shqiptare, do t’i bënte popullit shqiptar. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë shkencë të madhe, thjesht kërkon vullnet politik dhe këto gjëra mund të rregullohen edhe përpara Tetorit, mbase jo të gjitha detajet, por duhet të tregohet se ka një vullnet të mirë dhe ka një përkushtim për të arritur atë objektiv. Nëse kjo arrihet, atëherë Komisioni mund të rekomandojë statusin e vendit kandidat.
Në fakt z. Ambasador ju e prekët opozitën, por unë do të doja t’ju pyesja personalisht për emrin që kryeson opozitën, Edi Rama.
Ajo që më impresionon si person tek Edi Rama është se ai nuk është një politikan tradicional. Unë do të kisha imagjinuar, megjithëse nuk kam sferën magjike që të shoh dhe parashikoj të ardhmen, por mendoj se ai do të vazhdojë ta udhëheqë Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013 dhe besoj se ai dëshiron që t’i fitojë këto zgjedhje. Unë gjithashtu do kisha imagjinuar që tani ka ardhur koha për të dhe Partinë Socialiste, për tu bërë më të rëndësishëm se në zgjedhjet e vitit 2009, apo zgjedhjet e vjetshme në Tiranë. Kjo do të ishte hera e tij e tretë që shkon në zgjedhje si lider i partisë dhe besoj se është i vendosur që do t’i fitojë ato zgjedhje. Por i vendosur që t’i fitojë është gjithashtu z. Berisha, madje shumë i vendosur. Jam i sigurt që të dy janë të vendosur për të fituar, ashtu siç jam i sigurt që edhe z. Meta është shumë i vendosur për të fituar. Ajo që mua më gëzon shumë tani është se ka parti të reja që po zhvillohen. Nuk mund të them ndonjë gjë për programet apo idetë e tyre, por po shoh që këto parti të reja politike mund të jenë në gjendje të marrin goxha mbështetje nga populli aq sa të jenë të afta të hyjnë në parlament dhe më në fund ju dhe besoj të gjithë votuesit shqiptarë do të keni diçka për të zgjedhur, do të keni mundësi zgjedhjeje.
Mënyra se si përfundoi protesta e 21 janarit, si mendoni se ka ndikuar tek të rinjtë në Shqipëri? Te opozitarët?
Ndonjëherë, kur flas me të rinjtë, fare hapur dhe u them atyre gjëra që sapo i përmenda si për shembull, kur nuk jeni dakord me diçka dilni në rrugë dhe mundohuni ta ndryshoni atë, atëherë përgjigja është: Po, po, të shkojmë dhe pastaj të na vrasin si në 21 janar! Aty dhe përfundon e gjithë biseda, gjë e cila më vret, kur e dëgjoj dhe më vret gjithashtu, kur duhet të them se ka një të vërtetë të madhe në këtë. Jam i bindur se askush nuk ka dashur të ketë atë rezultat që patëm në fund të 21 janarit, nuk ka dashur askush që të ndodhte ajo që ndodhi. Gjërat dolën tmerrësisht jashtë kontrollit dhe mënyra sesi u menaxhua situata, nuk u bë në mënyrën më të kënaqshme të mundshme. Ende nuk ka investigime të besueshme, nuk ka çështje gjyqësore të mbyllura e vendime të marra. Ka thjesht shumë pyetje, por asnjë përgjigje. Do ju tregoj një histori. Kur u bëra ambasador, kalova javët e para në hotel në Tiranë dhe në dhomën time shikoja televizionet shqiptare. Një ditë po shikoja televizor dhe kuptova se çfarë i kishte ndodhur z. Kosta Trebicka i cili u gjend i vdekur në një pjesë të Shqipërisë, larg makinës së tij. Kur e pashë këtë, reagimi im i parë ishte: “Oh, kjo ngjarje do më mbajë të angazhuar si ambasador për dy vitet e ardhshme”, sepse ishte vërtetë një ngjarje shumë e rëndësishme në sytë e mi. Por ndërkohë, ajo ngjarje u shua për dy javë dhe askush nuk e përmendi më qysh atëherë. Dhe as në atë kohë nuk pati një investigim të besueshëm. Keni patur shpërthimin në Gërdec, 26 të vrarë, shumë pyetje, asnjë përgjigje ende dhe kjo më bën të them se unë nuk e kuptoj se si shqiptarët arrijnë t’i pranojnë këto gjëra. Diçka e rëndë ndodh dhe menjëherë humbet, harrohet dhe zhduket nga kujtesa. Ndërkohë që në të njëjtën kohë, ju jetoni me historinë tuaj, shumë herë më tepër sesa vendet e tjera të Evropës perëndimore. Unë nuk e kuptoj këtë gjë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›