E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Marvijk ul euforinë: Duhet të mbajmë presionin

JOHANESBURG- Hollanda ka vetëm një pengesë për të kaluar që të arrijë në finale të Botërorit, por trajneri Bert Van Marvijk e di mirë se tulipanët transformohen për keq kur vjen momenti deciziv i kompeticioneve të mëdhenj. është kjo arsyeja përse tekniku holandez kërkon që futbollistët e tij të jenë të përqendruar në maksimum për takimin ndaj Uruguait të martën në mbrëmje. “E shkuara jonë është plot me shembuj, - deklaroi Van Marvijk. – Mendoj se në Europianin e dy viteve më parë, pasi mundëm Italinë dhe Francën, të gjithë na konsideronin kampionë, ndërsa ne u mundëm që në çerekfinale, sepse ishim të bindur që e kishim të fituar ndeshjen me Rusinë. Për fat tani jemi larg Hollandës dhe jemi më të qetë”. Pasi mposhti 2-1 Brazilin në çerekfinale, Holanda do të ndeshet tani me Uruguain në Kejp Taun, duke synuar një vend në finale pas 32 vjetësh. Van Marvijk beson se futbollistët e tij do të jenë në gjendje të mbajnë presionin, pavarësisht se në takime të tilla ai është shumë i madh. “Jam duke u përpjekur t’i bëj skuadrës të kuptojë që nuk mund të bëjmë gjithnjë të njëjtat gabime. Deri tani kemi treguar se mund të reagojmë mirë, por na pret një provim shumë i fortë. Uruguai është një skuadër e mbushur me luftëtarë, me futbollistë tepër të fortë dhe që nuk dorëzohen kurrë. Gjithsesi, kemi parë shumë kaseta të tyre dhe i njohim mirë”, shtoi trajneri i Hollandës. Për tulipanët duket se ka kaluar edhe alarmi që mban emrin e Robin Van Persit. Sulmuesi i Arsenalit dukej se nuk do të luante në këtë takim pas ndeshjes me Brazilin, por mjekët kanë bërë të ditur se ai mund të bëjë një tjetër riaftësim rekord. Ndërkohë problem mbetet zëvendësimi i dy të pezulluarve për arsye kartonash, De Jong e Van der Viel. Ndeshja mes Uruguait dhe Hollandës do të gjykohet nga arbitri nga Uzbekistani Ravshan Irmatov, i cili gjykoi edhe takimin Gjermani-Argjentinë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›