Van Persie, shpëtimtari i Arsenalit

Thierry Henry e ka përshkruar formën e Robin van Persie për Arsenalin si të “çmendur”. Dhe, legjenda e klubit shpreson që sulmuesi holandez të vazhdojë me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme dhe për herë të parë në karrierën e tij të qëndrojë shëndosh e mirë.
Van Persie, të shtunën realizoi golin e tij të 33-të në Premierligë gjatë këtij viti kalendarik në përballjen kundër Evertonit në Emirates. Me të ai barazoi statistikën më të mirë të ikonës së klubit Henry, dhe gjendet dy prapa rekordit të sulmuesit legjendar anglez Alan Shearer.
Henry, i cili tani aktivizohet për New York Red Bull në MLS ka pranuar se holandezi tani është futbollist krejt tjetër për dallim me kohën kur erdhi nga Feyenoord për vetëm 2.5 milionë funte më 2004.
Van Persie është duke kaluar në formë jetësore dhe golat e tij kanë qenë vendimtar për ekipin e ringjallur të Arsene Wengerit. Në të njëjtën kohë, futbollisti përballet me presion të madh të mos pësojë lëndim, siç i ka ndodhur shpesh në karrierën e tij të deritashme me gjigantin londinez.
“Çka mund të them për Robinin? E kam parë kur erdhi këtu dhe në fillim nuk ishte djalosh i lehtë për tu marrë me të, njësoj sikurse unë, ma merr mendja. Por, është e shkëlqyeshme se si është përmirësuar. Kjo tregon sa futbollist inteligjent që është. Kam adhurim të plotë për atë që është duke bërë tani. I falënderohem Zotit që ai luan për ne dhe është duke u paraqitur mirë” tha Henry për mediet angleze pas ardhjes së tij në Londër ku mori pjesë në shpalosjen e statujës në nder të tij afër stadiumit Emirates.
“Është mirë kur shihni një futbollist të përmirësuar. Ajo që Van Persie është duke bërë tani, jo vetëm sa i përket shënimit të golave por përqindjes në realizimin e tyre, për dallim nga Ronaldo dhe Messi është e çmendur. Ai është duke bërë diçka të jashtëzakonshme. Kjo tregon sa me rëndësi është për të që të mos lëndohet. Ai kurrë nuk ka pasur rastin të kalon një sezon të plotë pa u lënduar, gjithmonë ka munguar për dy ose tre muaj. Por, në momentin që ka vazhdimësinë e shihni dallimin. Mundem vetëm të admirojë atë që është duke bërë tani”, përfundoi Henry.
Ndërsa, i pyetur nëse Van Persie mund të bëhet hero i klubit si Henry, menaxheri Arsene Wenger tha: “Ai është kësaj rruge”. “Ai ka kualitet të shkëlqyeshëm dhe është shumë i rëndësishëm për ne. Jemi në mesin e sezonit dhe çdo pikë është e rëndësishme. Për Robin, shpresoj të arrijë shumë dhe kjo varet prej tij”, u shpreh Wenger.