E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si në varrim

Ylli i Manchester Unitedit, Nani tregoi se qau si fëmijë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Ai thotë se atmosfera në zhveshtore pas disfatës nga Baseli ishte si në një varrim. Pavarësisht dëshpërimit të madh, portugezi beson se skuadra do të kthehet në rrugën e duhur.

Ylli i Manchester Unitedit, Nani pranoi se “qau si fëmijë” pas eliminimit të skuadrës nga Liga e Kampionëve, por u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të tij të reagojnë pas këtij dëshpërimi.

Red Devils u eliminuan në fazën e grupeve të garës elite të klubeve evropiane, të mërkurën, pas dështimit për të marrë një pikë kundër Baselit (2-1) që u mjaftonte për të siguruar kalimin në të tetën e finales.

Nani ka pranuar se e mërkura ishte një mbrëmje emocionuese për të dhe bashkëlojtarët e tij por është optimist se gjiganti nga Old Trafford do të kthehet në rrugën e duhur. Reprezentuesi portugez po ashtu beson se menaxheri Sir Alex Ferguson është njeriu i duhur për të ndihmuar ekipin në arritjen e këtij qëllimi.

“Kam qarë si fëmijë në zhveshtore në Basel. Të gjithë bashkëlojtarët e mi ishin të dëshpëruar, sepse askush nuk mund të besonte se ishim eliminuar vetëm pas fazës së grupeve. Ishte ferr brenda zhveshtores”, tha Nani për Daily Star.

“Kjo humbje dhe ajo në Wembley në finalen e Ligës së Kampionëve në maj ishin dy ditët më të këqija në karrierën time në Manchester United. Jam shumë i mërzitur me atë çfarë ndodhi. Ishte po thuajse e pabesueshme. Zhveshtorja në Basel ishte si një varrim”, shtoi ai.

Manchester United ishte njëri prej favoritëve kryesor për të fituar Ligën e Kampionëve andaj rënie në fazën e grupeve ishte një befasi e madhe e pikërisht duke pasur parasysh kundërshtarin, Basel, skuadër kjo që në ndërkohë arriti sukses të madh ku për herë të dytë në histori të klubit iu bashkua 16 skuadrave më të mira të kontinentit.

“Ky ekip është i gatshëm për të fituar tituj të mëdhenj, andaj një eliminim i këtillë është i tmerrshëm. Ne e dimë se jemi ekip më i mirë se disa prej skuadrave të tjera që kanë vazhduar garën andaj është e vështirë të zbulojnë se çka ndodhi në të vërtetë. Nuk mendoj se ishim shumë arrogant dhe nënçmuam kundërshtarët. Manchester United është skuadër e cila gjithmonë respekton kundërshtarët e saj” theksoi Nani i cili pret që skuadra të vazhdojë përpara, pavarësisht dëshpërimit të madh.

“Ne jemi dëmtuar, por ky është momenti kur ne duhet të shpërthejmë, të mundohemi të kthehemi në rrugën e duhur. Tani, Premierliga është objektivi ynë kryesor. Është e domosdoshme të mbrojmë titullin. Menaxheri është njeriu që di si të ngrit futbollistët e tij dhe ai do të na ndihmojë të kthehemi në rrugën e duhur” përfundoi Nani.

Manchester United përfundoi i treti në Grupin C, të fituar nga Benfica, dhe si rezultat do të vazhdojë pjesëmarrjen në garat evropiane të klubeve por në Europa League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›