Vangjeli shkelqen ne kualifikimin e Arisit
Kristi Vangjeli mbetet i vetmi futbollist shqiptar që luan në këtë edicion të kupave të Europës. Mbrojtësi shqiptar ka shkëlqyer gjatë 90-minutëshit të mbrëmjes së djeshme, ku Arisi i Selanikut fitoi me rezultatin 2-0 përballë Rosenborgut. Ky triumf në stadiumin “Kleanthis Vikelidis” ka bërë që skuadra helene të kualifikohet në fazën tjetër të Europa League. Arisi e mbylli Grupin B në vendin e dytë, me 10 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje, 2 më pak se Bajer Leverkusen i vendit të parë. Në sfidën e djeshme, helenët kanë shkruar një prej faqeve më të rëndësishme në historinë e klubit, ndërsa për t’u theksuar është fakti se ekipi selanikas vazhdon të mbetet i pamposhtur në shtëpi prej 42 vitesh në takimet ndërkombëtare. “Viktimë” e suksesit të skuadrës ku militon Vangjeli është bërë Atletiko e Madridit: spanjollët, fitues të Europa League gjatë edicionit të kaluar, janë eliminuar, duke u shkurorëzuar përpara kohe. Tashmë kuqeziu dhe Arisi presin verdiktin e shortit në Nion, për të mësuar kundërshtarin e ardhshëm.