Inter Milan e Arsenal ne ankth per shortin
Shtatë fituese të mëparshme dhe tri debutuese janë mes skuadrave që po presin të njohin kundërshtarët e 1/8-ve në Champions League. Në fakt, sot në orën 12.00 në Nion të Zvicrës do të hidhet shorti për të përcaktuar tetë duelet e fazës së dytë të aktivitetit më prestigjioz për klube. Gjithçka do të transmetohet drejtpërdrejt në paketën “SuperSport”, të platformës “DigitAlb”. Ndeshjet me eliminim direkt do të luhen pas dy muajsh, megjithatë emocionet kanë nisur. Në garë kanë mbetur vetëm 16 skuadra, nga 76 që kanë marrë pjesë në aktivitet prej ndeshjeve kualifikuese dhe tashmë të gjithë i kanë kthyer sytë nga goglat, për të mësuar kundërshtarët e ardhshëm. Tetë fituesit e grupeve (Barcelona, Bajern Mynih, Çelsi, Mançester Junajtid, Real Madrid, Shalke, Shakhtar Donjeck e Totenhem) ndodhen në vazon e parë, ndërsa ekipet e renditura të dytat (Arsenal, Kopenhagen, Inter, Lion, Marsejë, Milan, Roma e Valencia) në vazon tjetër. Ekipet do të përfaqësohen në short nga të paktën një zyrtar i klubit, ndërsa secili prej të kualifikuarve për në këtë fazë ka shpresë dhe frikë për rivalët që do të kenë përpara. Disa skuadra, ku shembulli më i mirë është Interi, duhej të fitonin grupin, por u renditën të dytët, ndërsa të tjera, siç është Shakhtar Donjecku kishin një ecuri të suksesshme. Sipas rregullores, skuadrat që kanë luajtur në të njëjtin grup dhe klubet e të njëjtit shtet nuk mund të luajnë përballë njëri-tjetrit në këtë fazë.
Më të frikësuarat janë padyshim ekipet italiane: Inter, Milan e Roma ndodhen të gjitha në vazon e ekipeve të dyta, por mjaft e vështirë pritet të jetë edhe rruga e Arsenalit. Skuadrat e Serisë A rrezikojnë që të kenë përballë pretendentet për fitimin e trofeut, si Barcelona, Çelsi, Real Madrid e Mançester Junajtid. Gjithsesi, këto skuadra shpresojnë te “bujaria” e goglave, për t’u ndeshur me kundërshtarë, që të paktën në letër janë më “komodë”. Zikaltërit evitojnë vetëm Totenhemin, ndërsa mund të luajnë me të gjithë “big”-ët (Barcelona, Real Madrid, Çelsi, Mançester Junajtid e Bajern Mynih). Kundërshtarët më të lehtë duken Shalke e Shakhtar. Një koincidencë e bukur do të ishte përballja me Realin e Zhoze Murinjos. Milani eviton vetëm Realin e Madridit, ndërsa Roma nuk luan me Bajernin e Mynihut. Vendi i dytë i Arsenalit në Grupin H, i cili ishte një rezultat i papritur, rezervon përballje të “zjarrta” për skuadrën e Arsen Venger. Kundërshtarët e “topçinjve” janë të kufizuar (ata evitojnë anglezet Junajtid, Çelsi e Totenhem dhe Shakhtarin), ndërsa kanë vetëm 25 për qind shanse të kenë një sfidë të “lehtë”, që përkthehet kundër Shalkes. Kundërshtarët e tjerë të mundshëm të londinezëve mbeten Barcelona, Bajern Mynih e Real Madrid.
Nga ekipet e vazos së dytë, më e favorizuara duket Valencia: spanjollët evitojnë përballjet me Realin e Madridit dhe Barcelonën (ekipe të të njëjtit vend), por edhe Mançester Junajtidin, me të cilët u ndeshën në Grupin C. Kundërshtarët e tyre më të vështirë mbeten Bajerni e Çelsi, ndërsa rivalët e tjerë të mundshëm janë Totenhemi, Shalke e Shakhtar.