E Diel, 1 Nëntor 2026

Vangjush Dako diskriminon qytetarët në Durrës, zhduk plazhin publik

29-07-2013 / Gazeta 55

Shoqëria civile proteston para Bashkisë së Durrësit për zënien e hapësirave publike në plazh: “Na premtuan shëndetësinë falas, por na detyrojnë të paguajmë detin që është i yni”

Dy shoqata, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Shoqata “Reago”, “bllokuan” dje sheshin para Bashkisë Durrës me çadra dhe shezllone, si shenjë proteste për zënien e hapësirave publike nga privatët në plazhin e Durrësit. 2 çadra, 3 shezllone, një top, dhe një shalqi në lulishten para zyrave të Bashkisë, ishin dekori i plazhistëve me kostume banjoje që u vendosën në mes të qytetit të Durrësit, aty ku ndodhet sheshi qendror. Kjo sepse e gjithë ranishta është zaptuar nga private sipas parcelave që u ka ndarë Bashkia.
Drejtuesit e dy organizatave Altin Goxhaj dhe Leonard Dedej, përkatësisht drejtues të Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe të Shoqatës “Reago” janë shprehur se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet pasi është shkelje e të drejtave të njeriut. Bashkia e Durrësit ka premtuar prej vitesh se 40% e ranishtës në plazh do të jetë hapësirë publike. Në të vërtetë, privatët e kanë zënë të gjithë hapësirën. Sipas Avokatit Altin Goxhaj te ZMK, kryebashkiaku i Durrësit i ka vjedhur qytetarëve çdo hapësirë publike, të cilën ia ka dhënë në shfrytëzim privatëve. “Ne erdhëm këtu pasi nuk gjetëm asnjë metër katror në plazh dhe kjo ndodh në të gjithë plazhet e Shqipërisë ku Kryebashkiakët dhe Kryekomunarët u kanë vjedhur detin qytetarëve dhe ua kanë dhënë privatëve. Ne po protestojmë këtu para Bashkisë Durrës si simbol i bashkive dhe komunave qe çdo metër katror plazh ia morën qytetareve dhe ua dhanë privateve duke i hequr çdokujt te drejtën te gëzojnë pakëz pushime konform te ardhurave... se jo për gjë, por në një popull me 1 milionë të papune siç kane thënë vetë kryetarët e bashkive dhe komunave të bregdetit u është hequr e drejta e plazhit... dhe ky është një akt i pastër diskriminimi klasor. Ne në fakt erdhëm këtu në mes të vapës me shpresë se do të përdornim shatërvanin por plazhi ynë në një farë mase dështoi edhe këtu, sepse siç e shikoni as shatërvani 20 metra përballë Bashkisë s’ka ujë”, tha Goxhaj. Ndërkohë edhe drejtuesi i shoqatës “Reago”, Leonard Dedej, tha se, “kryetari i Bashkisë Durrës dhe kryebashkiakët dhe kryekomunarët e tjerë të të gjithë bregdetit premtuan shëndetësi falas për të gjithë por ndërkohë nuk lejojnë asnjë qytetar të tyre dhe të gjithë Shqipërisë që të shijojnë të paktën detin falas”. “Jo të gjithë kanë kaq shumë para sa këta kryetarë ndaj dhe qytetarëve u është hequr e drejta për pak plazh në detin që ua morën”. Mungesën e plazheve publike e konfirmojnë edhe pushuesit e shumte në qytetin e Durrësit dhe në të gjithë Shqipërinë dhe protesta ka gjetur shumë përkrahje në rrjetet sociale ku njerëzit po shprehin solidaritetin me protestën dhe akuzojnë rëndë pushtetarët lokalë për këtë grabitje që po u bëjnë qytetarëve të tyre që u kanë dhënë votën dhe të gjithë Shqipërisë. Prej vitesh në bregdetin shqiptar kanë lulëzuar plazhet private të cilët rrethojnë hapësirat duke pakësuar gjithmonë e më shumë hapësirat publike në plazhe. Ndërkohë dy organizatat po mendojnë ta shtrijnë protestën e tyre edhe në qytete të tjera duke e organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale të cilat po rezultojnë shumë efektive siç ishte edhe ky organizim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›