Vankuver 2010 ul siparin, një lamtumirë mes festës
Kitara e Neil Jang në dëborën artificiale, zëri i Majkëll Babëll, një mbyllje mes muzikës, tullumbaceve me forma drerësh dhe skicave të lojtarëve të hokejit. Kjo është lamtumira e Vankuverit, me ceremoninë e mbylljes, duke e kaluar flamurin olimpik në Socci 2014, ku të gjithë presin një skenar krejt të ndryshëm, më të ftohtë dhe më pak të përzemërt në krahasim me festivalin popullor të olimpiadës kanadeze. Ashtu si ndodh zakonisht, ceremonia e mbylljes nuk është formale si ajo e hapjes, atletët hyjnë të gjithë së bashku dhe jo më të ndarë sipas kombeve. Erjon Tola, sportisti i vetëm shqiptar dhe mbajtësi i flamurit kuqezi parakaloi mes përfaqësuesve të 82 vendeve të pranishme. Skenografia parashikonte që të gjithë atletët, të cilët mbanin flamujt kombëtarë, të pozicionoheshin në formë rrethi përqark flakës olimpike të Vankuver 2010, që u fik pas 16 ditëve. E natyrshme euforia e kanadezëve, që triumfuan në finalen emocionuese të hokejit përballë kushërinjve amerikanë. Mijëra njerëz mbanin të veshura fanella të Kanadasë, e mes tyre edhe kryebashkiaku Gregor Robertson dhe aktori Majkëll J. Foks. Pas fjalimeve të gjata dhe formale të presidentit të VANOC, Xhon Furlong, dhe të numrit 1 të IOC-së, Zhak Rog, ceremonia u transformua në një festë të muzikës.
#